Presioni ndaj gazetarëve po rritet me largimin e ndërkombëtarëve

21:26 | 1 Nëntor 2018
M. A.

Statistikat tregojnë se në vitet e fundit kërcënimet ndaj gazetarëve janë rritur në masë të madhe, me theks të veçantë në vitin 2017.

Avokati Arianit Koci e lidh këtë me prezencën dhe ndikimin e ndërkombëtarëve në vend.

Sipas tij, me largimin e tyre, kërcënuesit janë ndjerë më të lirë për të shfrytëzuar terrenin kundër gazetarëve.

“Sa ma shumë po zbehet prezenca e ndërkombëtarëve, sa ma i vogël po është ndikimi, po rritet presioni ndaj gazetarëve”, ka thënë Koci, në Rubikon të KTV-së. “Në vitin 2013 asnjë rast nuk ka qenë i lajmëruar për kërcënim ndaj gazetarëve, në 2017 kanë qenë 38 raste”.

Mosndëshkimi po trimëron kërcënuesit e gazetarëve, thotë Koci

Hezitimi i gazetarëve në Kosovë që të raportojnë kërcënimet ndaj tyre po shkon drejt një imunizimi ndaj këtij fenomeni. E kjo rrjedh nga mos besimi në organet e rendit.

Madje, sipas avokatit Arianit Koci, gazetarët përveç se punojnë në kushte të rënda, ata tashmë janë adaptuar me një terren të tillë të punës.

“Kjo situatë po e stimulon dhunën ndaj gazetarëve. Gjithë duhet me pranu që gazetarët punojnë në kushte shumë të rënda në Kosovë dhe çka është më e keqja, ne jemi adaptu në këto kushte”, ka thënë Koci në Rubikon të KTV-së.

“Unë e di personalisht që me dhjetëra kërcënime i ka pas Adriatiku, ja lexoj dhe mesazhe ka pas edhe prej zyrtarëve të partive politike edhe tash kemi mbërri në situatë kur ky as nuk i lajmëron. E di Serbezja që i ka lajmëru rastet, tash nëse nuk e gjejmë vrasjen e Bardhyl Ajetit, natyrisht që krijohet një klimë ku gjithkush gjithkënd mundet me kërcënu”, shtoi tutje Koci.

Ai foli edhe për rastet kur është paraqitur kërcënimi dhe është dënuar kryerësi i veprës.

Mirëpo edhe në këtë rast, përmes procedurave, Koci thotë se po jepet shembull i keq.

“Me ato dënime po jepet një shembull i keq. Betim Musliu është kërcënu shumë rëndë, me vite ka zgjat procedura, është dënu kryerësi i veprës me 300 euro, as ato si ka pagu se është parashkru ekzekutimi i dënimit”.

Shpërndaje në rrjete sociale