Presidenti Trump uron Presidenten Osmani: Mbështesim fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

09:06 | 16 Shkurt 2026
E.G

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në letrën e tij drejtuar Presidentes, Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, Presidenti Trump ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e SHBA-ve për zgjerimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me synim avancimin e prosperitetit të përbashkët, si dhe ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për avancimin e paqes dhe stabilitetit në dobi të ndërsjellë.

Trump ka shprehur gjithashtu falënderimin ndaj Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur

Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.

Në fund të mesazhit, Presidenti Trump shpreh besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve./Arbresh.info