Policia sekuestron armë dhe drogë në Mitrovicë

22:04 | 12 Shkurt 2026
E.G

Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë automatike, një pistoletë dhe substanca narkotike gjatë një operacioni të zhvilluar më 12 shkurt në Mitrovicë. Një person i dyshuar është ndaluar, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë nga antidroga Mitrovicë-Jug.

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Mitrovicë-Jug, ka ndërmarrë një operacion të planifikuar policor në terren. Operacioni u realizua më 12 shkurt pas një pune intensive hetimore dhe grumbullimit të informacioneve relevante.

Rreth orës 17:40, në parkingun e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, u ndalua për verifikim një person i dyshuar. Gjatë kontrollit trupor i janë gjetur tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme 0.99 gram.

Në konsultim me Prokurorin Kujdestar pranë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, është realizuar kontroll në banesën e të dyshuarit. Gjatë kontrollit u gjet një armë e gjatë automatike me një karikator që përmbante 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm, si dhe një pistoletë me një karikator të zbrazët. Armët dhe substanca e dyshuar narkotike janë fotografuar, evidentuar dhe sekuestruar nga njësia e Krimteknikës Rajonale.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Hetimet lidhur me këtë rast po zhvillohen nga antidroga Mitrovicë-Jug.

Shpërndaje në rrjete sociale