Pezullimi i tenderit 137 milionësh i KEK-ut përplas Hykmete Bajramin dhe Hekuran Muratin

13:39 | 4 Korrik 2025
Q L

Pezullimi i tenderit 137 milionësh i KEK-ut ka përplasur verbalisht deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Bajrami në një postim në Facebook shkruan se Tenderi për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A, me vlerë 137,340,000 euro, është pezulluar të enjten, vetëm një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e ofertave.

“Ky tender ka ngritur dyshime të forta për muaj me radhë, është zhvilluar në mënyrë të dyshimtë”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka prezantuar edhe siç thotë disa nga faktet, si mungesë transparence, procedura të manipuluara, tender i hapur me negociata, etj.

Deputetja e LDK-së thekson tutje se ky pezullim nuk duket si veprim përgjegjës, por si një hap për të mbuluar një skemë të mundshme korruptive me vlerë 137 milionë euro.

“Pezullimi i sotëm duket si manovra e radhës për ta rikthyer nesër tenderin me të njëjtat probleme dhe përfitues të dyshimtë. Tenderi duhet anuluar plotësisht dhe aktorët e përfshirë duhet të hetohen deri në fund. E derisa kemi skema të tilla në veprim dhe të paprekura nga hetuesia qytetarët po paguajnë çmimin e lartë të importit të energjisë e fitimet e tregtarëve të energjisë po rritën në mënyrë eksponenciale”, tha ajo.

E lidhur me këtë çështje të ngritura nga deputetja e LDK-së, ka reaguar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Ai në një postim në Facebook shkruan se sa herë që KEK tenton të regjenerojë kapacitetet, disa nga opozita mobilizohen me të gjitha institucionet e kapura që të pengojnë çfarëdo pune që do rriste sigurinë e furnizimit apo edhe kapacitetet gjeneruese nga KEK.

Sot, Hykmetja i qenka gëzuar lajmit se tenderi qenka pezulluar me urdhër të OSHP-së, me arsyetimin se tenderi ka kritere diskriminuese për kompanitë lokale (cila kompani lokale ka kapacitet për rindërtim të termocentraleve se?)”, shkruan ai.

Sipas tij, pra në vend se puna të ecte dhe blloku A3 të rehabilitohej sa më shpejtë, do të kemi vonesa të reja, sepse opozitës i pengon çfarëdo rritje e kapaciteteve publike.

“Ngjashëm e patën sulmuar edhe kontratën me General Electric për ndërrim të turbinave të TC Kosova B1 dhe B2, projekt që rrit jetëgjatësinë e dy blloqeve dhe shton kapacitetin gjenerues. Ngjashëm e kanë bllokuar edhe marrëveshjen me EIB për 100 MW energji solare në KEK”, shkruan Murati.

“Pra, sa herë që KEK tenton të rrisë kapacitetin furnizues, i shihni se si bëjnë çmos që ta pengojnë e vonojnë, këta që vazhdimisht pretendojnë se ua qajnë hallin qytetarëve.  Vlerësojeni vetë të dashur qytetarë se kush po i shërben mafisë energjetike?”, shkruan ai.