Përurohen investimet në efiçiencë të energjisë elektrike në dy shkolla në Podujevë

18:33 | 4 Shkurt 2026
E.H

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë elektrike në dy shkolla të Komunës së Podujevës: në shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” dhe në shkollën “Shefki Kuleta”.

Pas renovimit në shkollën “Isa Boletini”, Kurti tha se gjithsej investimi është 350 mijë euro, me rreth 3 mijë metra katrorë, për mbi 1000 nxënës, me rreth 100 mësimdhënës, me ç’rast janë ndërruar dritaret, janë vënë krejtësisht të reja, gjithashtu është izoluar edhe kulmi edhe muret, ndërkaq është optimizuar ngrohja.

Kurti falënderoi ministren Rizvanolli, Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, të cilët kanë punuar në mënyrë të përkushtuar, duke realizuar çdo afat siç e kemi parashikuar për të ardhur te kjo ditë në të cilën bëjmë inaugurimin kaq të vlefshëm për shkollën “Isa Boletini”.

Ministrja Rizvanolli, tha se shkolla “Isa Boletini”, është një ndër katër shkollat në të cilat po investojmë në Podujevë përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, për të rritur efiçiencën e energjisë dhe këto janë ndër 17 shkollat në katër komuna të ndryshme të Kosovës që po renovohen përmes një fondi që Qeveria e Kosovës ka ndarë para rreth dy vitesh.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi kryeministrin Kurti, ministren Rizvanolli, por edhe Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë për investimet e bëra në këtë komunë, derisa theksoi se po punojmë çdo ditë e më shumë që nxënësve t’u krijojmë kushte sa më të përshtatshme për mësimdhënie dhe mësim nxënie.

Ndërsa, nga shkolla “Shefki Kuleta”, në Tërnavë të Podujevës, kryeministri Kurti tha se kjo është dëshmi që Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mbështet me renovim të shkollave dhe të objekteve të tjera publike vetëm qytetet e mëdha apo qendrat komunale, por gjithashtu edhe fshatrat gjithandej, në mënyrë që të kemi barazi për të gjithë fëmijët që bëhen nxënës e një ditë si profesionistë të suksesshëm do të jenë edhe bartës të zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

135 nxënës në Tërnavë të Podujevës do t’i kenë tashmë kushtet e përshtatshme, moderne për mësim, me rreth 700 metra katrorë hapësirë të gjithmbarshme të kësaj shkolle, e cila tash do t’i ketë dritaret e reja, e ka kulmin edhe muret e izoluara e gjithashtu është bërë edhe optimizimi i ngrohjes./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale