Për kryetarin e LDK-së akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë.
Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij. I quante “luks momental”, që s’habitej që disa i kishin. Të paktën kështu mendonte më 2 mars 2025, dhe e shprehte hapur në një diskutim të brendshëm në grupin në “Viber” të kryesisë së partisë së tij.
Me “Përshëndetje Avdullah”, e nis Abdixhiku mesazhin e tij në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme.
Kryetari Abdixhiku është i brengosur vetëm për votat e partisë, pohonte vetë me shkrim i pari i LDK-së.
“Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.
“Në fakt jam i brengosur për nënperformacën e degëve nga realizimi i votave të regjistruara në vota aktuale për partinë. I kemi pasë të raportuara 40 mijë regjistrime, e po na realizohen gjysma e tyre në vota. Për këtë do të duhet të kishim brengë! Ju lus që të na kurseni nga ironitë…”, thuhej nder tjera në mesazhin e Abdixhikut, të siguruara me “screenshot” nga gazeta Reporteri.net.

Paraprakisht, derisa në QNR numërimi i votave të ardhura me postë po shkonte drejt fundit, Avdullah Hoti kishte kërkuar nga “grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë” t’i njoftonte se çfarë po ndodhte, pasi sipas tij kishte evidentuar disa “parregullsi” dhe mospërputhje te çuditshme.
“E çuditshme me votat e diasporës së LDK-së nga Komuna e Rahovecit!!! Nga disa kuti po rezulton se diaspora e Rahovecit po i voton kandidatët e Pejës, të Prishtinë e të disa komunave të tjera në masë të madhe jashtë shpërndarjes normale të votave!!! Ndoshta ky është vullneti i elektoratit të LDK-së në diasporë nga Komuna e Rahovecit!!! Por, të njëjtit kandidatë, në Degën e Rahovecit në Kosovë kanë marrë vota sipas një mesatareje të përgjithshme të shpërndarjes së votave në gjithë listën e LDK-së. Unë tentoj t’i besoj kësaj shpërndarjeje më shumë, sepse besoj se përfaqëson vullnetin e elektoratit të LDK-së, në Degën e Rahovecit. Ndoshta Grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë na njofton se çfarë po ndodh. Ndoshta unë nuk i kam informatat”, shkruante Avdullah Hoti, më 2 mars 2025, në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.

“Ju kam paralajmëruar me kohë dhe qartë se i presim 40 mijë vota – sipas raportimit të degëve dhe ekipit për mërgatë. Ju kam paralajmëruar me logjikë; dhe siç ka ndodhë dhe me zgjedhjet e kaluara, votat e mërgatës ndryshojnë kandidatët; prandaj mos shpallni fitore pa u numëruar të gjitha…”, i kundërpërgjigjej tutje Abdixhiku Hotit dhe të tjerëve në kryesi që denonconin, sipas tyre, vjedhjen e votave brenda partisë.
Kujtojmë se të hënën janë publikuar edhe përplasja në të njëjtin grup në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.
“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.
“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.
“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi.
LEXO EDHE:
Nga sot nis numërimi i votave me postë
Sot mbahet Akademi Përkujtimore për Nexhat Dacin në Kuvendin...
Moti sot në Shqipëri me vranësira të dendura dhe shira në të...
Europa solidarizohet me Zvicrën pas tragjedisë, Von der Leye...
Çmimet e arit dhe argjendit arrijnë nivele rekord në vitin 2...
Ky është zyrtari policor që ia shpëtoi jetën gruas së rënë n...