PDK mirëpret vendimin e Kushtetueses – dy qeveritë e 6 tetorit prodhuan mashtrim e zhgënjim

23:15 | 21 Dhjetor 2020

Partia Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili i hapë rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.

Koalicioni aktual qeverisës, tash e disa muaj nuk e ka shumicën parlamentare për ta kaluar asnjë ligj dhe ka bllokuar funksionimin normal të institucioneve shtetërore.

Për këtë arsye, PDK-ja tashmë disa herë ka ftuar partitë politike parlamentare që të mblidhen dhe ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, shkruan arbresh.info.

Që nga 6 tetori i vitit të kaluar, shumica e partive politike manipuluan me vullnetin e qytetarëve duke injoruar atë dhe duke pasur prioritet vetëm interesat e ngushta partiake.

Përfundimisht, edhe sonte u vërtetua se “koalicioni i shpresës” që doli nga zgjedhjet e 6 tetorit ishte mashtrimi më i madh që iu bë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasojat e të cilit po i vuajmë të gjithë për më shumë së një vit.

Në zgjedhjet që duhet të mbahen sa më parë, Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe do të garojë me program dhe propozime konkrete për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë në të cilën e kanë futur partitë që kanë qeverisur vendin nga zgjedhjet e fundit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara