PDK-ja takohet me Ali Ahmetin, Talat Xhaferin dhe Artan Grubin

21:35 | 6 Mars 2023
Emir Abduramani

Përfaqësuesit e lartë të PDK-së, me në krye kryetarin Memli Krasniqi, janë takuar sot me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që vijnë nga partia BDI.

Ata janë takuar në Drenas, ku në takim mori pjesë Ali Ahmeti, Talat Xhaferi, Artan Grubi dhe deputetë tjerë të kësaj partie.

“Me rastin e “Epopesë së UÇK-së”, bashkë me Uranin dhe mysafirët nga Maqedonia e Veriut, liderin e shqiptarëve atje, Ali Ahmetin, Kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ministra e deputetë tjerë të BDI-së, ishim në konak te Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci. Ishte kënaqësi që në këtë përvjetor të rëndësishëm, të 25-in me radhë, të dëgjojmë histori të lavdishme mbi organizimin dhe luftën e Kosovës”, ka thënë Krasniqi në Facebook.

Në një njoftim në Facebook, Krasniqi ka shkruar se kanë diskutuar për fuqizimin e shqiptarëve në Ballkan dhe bashkëpunimin që mund të bëhet.

“Bashkë diskutuam edhe për situatën e shqiptarëve në Ballkan dhe nevojën e fuqizimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit tonë. Krenar, sot e përgjithmonë, me kontributin dhe sakrificën e shumë brezave ndër vite për të drejtat, shtetin dhe lirinë që gëzojmë sot si shqiptarë në Ballkan!”, përfundoi ai./arbresh.info