Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar formimin e një komision parlamentar për të hetuar sjelljet e Qeverisë në kohën e COVID-19.
Deputetja e kësaj partie Eliza Hoxha, në një konferencë për media tha se rasti tragjik i vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve është përgjegjësi institucionale.
“Duke pasur parasysh rëndesën dhe seriozitetin e ngjarjes dramatike të ndodhur si dhe përgjegjësitë e mëdha të institucioneve shtetërore që kufizuan lirinë e tij dhe duhej të kujdeseshin për të, Partia Demokratike e Kosovës, propozon krijimin e një komisioni hetimor parlamentar të posaçëm. Kujtoj se përveç funksionit legjislativ, një ndër funksionet më të rëndësishme që ushtron Kuvendi i Kosovës është ai i mbikëqyrjes së Qeverisë dhe i kërkimit të llogarisë dhe vënies para përgjegjësisë për të gjitha veprimet e ndërmarra prej saj. Ky komision parlamentar do duhet të hetojë sjelljen dhe veprimet e qeverisë gjatë periudhës së pandemisë duke u marrë në mënyrë të veçantë me përgjegjësitë institucionale që shkaktuan vetëvrasjen e 26 vjeçarit Agon Musliu”.
Hoxha pohoi se presin mbështetje edhe nga partitë tjera për krijimin e këtij komisioni.
Ajo theksoi se dokumentet e publikuara në media për korrespondencën e bërë me Ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe Qendrën Operative Emergjente të Gjilanit dëshmojnë se ministri Vitia dhe personat përgjegjës për karantinën kanë qenë në dijeni për problemet shëndetësore të Agon Musliut.
“Institucionet shtetërore që duhej të kujdeseshin për të riun 26 vjeçar, kanë kryer një akt të rëndë neglizhence e papërgjegjshmërie që ka çuar mandej deri tek tragjedia e vetëvrasjes. Ato fakte gjithashtu tregojnë se ministri i shkarkuar i shëndetësisë në konferencën e shtypit dje nuk ka thënë të vërtetën. Po ashtu, kanë dalë tashmë fakte të shumta bindëse se karantina është menaxhuar keq dhe se ka pasur abuzime të rënda për sa i përket trajtimit në mënyrë selektiv të qytetarëve të riatdhesuar” tha Hoxha.
Si ta parandaloni shfaqjen e njollave të bardha në rroba pas...
Parashikimi i motit – Mjegull në fundjavë dhe ditëve të para...
Bologna në finalen e Superkupës së Italisë, fiton dramën nda...
Shkretëtira e Arabisë Saudite zbardhet nga dëbora
Dy automjete përplasen në aksin Lezhë-Shkodër, lëndohen drej...
Festat festohen edhe në kampin e KFOR-it, momenti i ngrohtë ...