Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës sot ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese tri kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), atij për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), si dhe për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për ndryshimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, akte të cilat janë miratuar në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i GP të PDK-së, Abelard Tahiri tha se përmes kontestimit të Ligjit për KPM-në është sfiduar tendenca e pushtetit për të kontrolluar mediat e lira dhe të pavarura dhe për të shkelur parimet e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, si vlera themelore të rendit kushtetues.
“Madje, kjo ka shkuar aq larg saqë përmes këtij projektligji tentohet të kontrollohen edhe personat fizikë të cilët prodhojnë kontent, dhe mund t’i shpërndajnë qoftë përmes mediave, qoftë përmes rrjeteve sociale”, theksoi Tahiri.
PDK konsideron që përmes Ligjit për KPK-në shkelen garancionet kushtetuese si prezumimi i pafajësisë dhe i sigurisë juridike, në kuptimin e vendosjes së standardeve të ndryshme për emërimin e anëtarëve të KPK-së në raport me standardet e ndryshme për shkarkimin e tyre.
“Konsiderojmë që përmes këtij projektligji, pushteti aktual po synon të kapë sistemin prokurorial, rrjedhimisht organin e akuzës që ka për detyrë luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera negative në vendin tonë”, tha ai.
Sa i përket vendimit për Statutin e UP-së, Tahiri tha se përmes tij synohet cenimi i marrëdhënies së punës së stafit akademik të UP-së, duke i vendosur të njëjtit përballë situatave të presioneve dhe kërcënimeve të pabaza për humbjen e titujve akademikë, e për rrjedhojë edhe të marrëdhënies së punës.
GP i PDK-së, ashtu siç ka bërë deri më tani, edhe në këtë rast i ka qëndruar besnik Kushtetutës dhe mbrojtjes së saj dhe është besimplotë se edhe këto raste do të konfirmohen si shkelje kushtetuese dhe në këtë mënyrë do të evitohen pasojat e pariparueshme që këto akte do t’i shkaktonin institucioneve të pavarura kushtetuese, por edhe të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Këto janë nisma në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe jemi të bindur që do të dalim fitues”, përfundoi Tahiri./Arbresh.info
Katari pezullon rolin ndërmjetësues për luftën në Gazë
Burimi planifikon që pas BBVK të punojë kamarier
PSG merr një fitore solide në udhëtim ndaj Angers
Las Vegasi mbulohet nga bora, qytetarët thonë se nuk kanë pa...
NATO i përgjigjet vendosjes së trupave të Koresë së Veriut n...
“T’ua humbim buxhetin djemve”, Gresa ia tregon planin Sarës