Pas paralajmërimit për padi, gazetari i FAZ-it: Kam raportuar për oligarkë rusë e kriminelë serbë, kurrë nuk jam paditur

20:45 | 4 Shkurt 2026
E.H

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka shkruar në numrin e të mërkurës për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke vënë në qendër të vëmendjes një analizë politike lidhur me ambicien e saj për të fituar një mandat të dytë si presidente.

Gazetari i FAZ, Michael Martens, ka raportuar se Osmani po shikon të demonstrojë afërsinë me familjen presidenciale të Shteteve të Bashkuara për të siguruar rizgjedhjen e saj në postin më të lartë të shtetit.

Sipas shkrimit, presidentja e Kosovës ka përdorur lidhjet me ish-presidentin amerikan Donald Trump dhe familjen e tij për të fuqizuar profilin e saj ndërkombëtar.

“Por, kalkulimi i saj mund të dështojë – edhe pse ajo arriti që Kosovën ta bëjë një nga shtetet që së fundmi në Davos iu bashkuan ‘Bordit të Paqes’ enigmatik të Donald Trumpit”, shkruan FAZ. “Osmani u shfaq në Zvicër me krenari krah presidentit amerikan dhe që atëherë flet për arritjen e madhe që, sipas saj, përfaqëson fakti se vendi i saj u bë anëtare themeluese e këtij formacioni”.

Reagon këshilltari i Osmanit ndaj gazetarit të FAZ-it: Presidentja po shqyrton veprimet ligjore në Gjermani

Pas publikimit të artikullit, Presidenca e Kosovës ka reaguar zyrtarisht. Këshilltari i presidentes, Rinor Nuhiu, ka njoftuar se po shqyrtohen masa ligjore ndaj gazetarit Michael Martens për shkrimin e tij të publikuar të mërkurën.

Sipas Nuhiut, artikulli pretendon se Osmani po përdor “kartën amerikane” për të siguruar një mandat të dytë, një pretendim që Presidenca e konsideron të papërshtatshëm dhe të pasaktë.

Ndërkaq, vetë gazetari Michael Martens ka reaguar përmes rrjetit social X, duke treguar se qëndron pas raportimit të tij dhe se shkrimi pasqyron një analizë politike dhe jo një sulm personal ndaj presidentes Osmani.

Osmani sërish në fokusin e kritikave nga gazetari i FAZ-it: Po shfaqet si “kandidatja e Trumpit” për të siguruar mandatin e dytë

Ai thekson se si gazetar me përvojë ka trajtuar çështje të ndjeshme ndërkombëtare dhe ka raportuar për figura të fuqishme pa u paditur ndonjëherë.

“Mësoj e mësoj. Jam në gazetari prej 30 vitesh, kam jetuar dhe punuar në vende të vështira si Rusia, Afganistani apo Turqia, duke shkruar për oligarkët rusë, kriminelët e luftës serbë, kontrabandistët malazezë të cigareve, rebelët kurdë, krerët e luftës në Afganistan, pa u paditur kurrë. Por tani…”, u shpreh Martens./Telegrafi.

LEXO EDHE:

Presidenca paralajmëron ndjekje ligjore në Gjermani ndaj gazetarit Michael Martens

Shpërndaje në rrjete sociale