Pacolli shprehet i bindur në rikthimin e AKR’së në Kuvend dhe pushtet

21:02 | 10 Maj 2016
M. A.

Presidenti i AKR’së Behgjet Pacolli ka vazhduar kritikat ndaj Mimoza Kusari-Lilës e cila së fundi u largua nga kjo parti. Shprehet i bindur se AKR do të rikthehet në Kuvend dhe pushtet.

Thotë se për ta mbajtur në Aleancën Kosova e Re, Kusari-Lilës i ishte ofruar edhe udhëheqja e partisë.

“Ne kemi bo çmos ta ruajmë znj.Kusari, ka pasë të gjitha privilegjet. E kom bo edhe këtë tentativë që ajo ta udhëheq partinë por nuk funksionu”, tha Pacolli.

Ish-Presidenti i Kosovës Pacolli megjithatë është i bindur se AKR mund të funksionojë edhe pa zëvendëskryetaren e deritanishme.

Ai këmbëngul se partia e tij meriton të kthehet në Kuvend dhe në pushtet.

“Ne kemi dalë faqebardhë prej atij koalicioni. Ne s’kemi qenë të korruptum. Ne nuk kemi pasë afera”, tha Pacolli në ‘Zona B’ në Klan Kosova.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare AKR nuk e kaloi pragun zgjedhor.

Shpërndaje në rrjete sociale