Pacolli: Po sulmohem në mënyrë të koordinuar në Shqipëri, por do t’i përballoj me të vërtetën

00:17 | 19 Tetor 2025
Q L

Ish-presidenti i Kosovës dhe biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër në një status publik, duke denoncuar një “komplot të koordinuar” kundër tij në Shqipëri, pikërisht në kohën kur, sipas tij, ndërtimit të aeroportit të Vlorës po i vjen fundi.

Pacolli shprehet i indinjuar për “ofendimet dhe shpifjet” që po qarkullojnë ndaj tij, duke theksuar se nuk ka dhënë asnjë intervistë dhe nuk ka iniciuar asnjë proces gjyqësor që mund të shërbente si shkak për përfolje, shkruan Arbresh.info

“Duket qartë se dikush tjetër po merret me këto procese, ndërkohë që unë deri më sot nuk jam ftuar nga askush për të dhënë as dëshminë, as sqarimet e mia,” shkruan ai.

Pacolli thekson se është i vendosur të mbrojë pronën e tij dhe investimin në Vlorë, duke theksuar se çdo gjë është bërë me fonde private dhe të dokumentuara.

“Asnjë qindarkë publike — çdo gjë ka ardhur nga puna, besimi dhe sakrifica ime,” ka shtuar ai, duke theksuar se synimi i tij është të lërë një trashëgimi në Vlorë.

Në fund të reagimit, Pacolli paralajmëron se nuk do të tolerojë më “padrejtësitë dhe përbaltjet”, duke theksuar se do t’i përballojë të gjitha me fakte dhe të vërtetën në dorë.

“Nuk mund të duroj më këtë padrejtësi, ku përbaltet emri, dinjiteti dhe investimi im,” ka përfunduar ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale