Google ADS

Pacolli në Tiranë unifikon krahët e politikës shqiptare

22:06 | 27 Shkurt 2015
Arbresh Info

I emocionuar shprehet të ketë qenë ish-Presidenti Behgjet Pacolli gjatë dekorimit të tij nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me urdhrin më të lartë “Nderi i Kombit”, pasi të dy krahët e politikës shqiptare ishin të pranishëm në këtë ceremoni.

Portali arbresh.info publikon edhe fjalimin e plotë të ish-Presidentit Pacolli, gjatë ceremonisë së dekorimit në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Behgjet Pacolli gjate fjalimit

TIRANË 27 SHKURT 2015

I dashur president i vendit,

SHKËLQESIA E TIJ Bujar Nishani,

Të dashur miq nga institucionet e shtetit të Shqipërisë. Parlamenti, qeveria, miq nga Kosova dhe familjarë të mijë.

Kam marrë shumë nderime në botë, por ky është më i veçanti, më emocionuesi.

Ky nderim lartohet dhe më shumë pse vjen prej shtetit amë.

Ky nderim më dhurohet prej kryetarit të shtetit, zotit Bujar Nishani, një burrë i urtë dhe i nderuar që e vlerësoj shumë.

Ne si kosovarë, kemi vuajtur shumë, kemi ëndërruar shumë për shtetin amë ndaj e vlerësoj këtë nderim.

Unë në jetën time, siç thotë Ruzvelti, kam bërë gjithçka çka kam mundur me çfarë kam pasur, kudo që kam qenë.

Presidenti e ka vërejtur, në motivacionin e Urdhrit të lartë “Nderi i Kombit”, që jeta ime, puna ime është rrotulluar rreth idesë së kombit tim.

Po, zoti President,

rreth idesë së kombit tim është zhvilluar gjithë aktiviteti im njerëzor dhe profesional.

Kam folur diku për jetën time, si është zhvilluar ajo dhe e kam krahasuar atë si rrathët e krijuar nga rënia e një guri në sipërfaqen e ujit të qetë!

Në secilin prej rrathëve të jetës sime, në studim, në ndërmarrësi, në politikë, në filantropi, në familje e shoqëri, është vërejtur se çdo gjë sillet rreth dëshirës së madhe për lartësimin dhe begatimin e kombit tim.

Në këtë kontekst Zoti President, e them solemnisht para jush, me përgjegjësi të plotë, se çdo gjë që kam bërë e kam bërë për interes të kombit tim.

Ishte, është dhe mbetet dëshira e flaktë e imja që shqiptarët të jenë një komb i ndritur dhe fëmijët tanë të mburren me këtë. Kam krijuar shumë miq nëpër botë për Kosovën e për shqiptarët.

Duke kuptuar Kosovën brenda Shqipërisë, dhe duke imagjinuar Shqiptarët si një komb i vetëm, unë bashkë me shumë atdhetarë, kontribuuam në ngritjen e imazhit të saj e të Shqiptarëve në përgjithësi. Suksesi i një individi si unë, ka qenë sukses i kombit tim, i imazhit të tij.

Nëse këtë veprimtari mund ta quajmë sukses, atëherë unë them se është sukses i madh i arritur me shumë sfida, sakrifica, punë e vullnet të madh.

Unë jam kozmopolit, sepse unë kam punuar dhe udhëtuar në gjithë botën.

Sa më shumë kam udhëtuar dhe punuar në botë, aq më shumë e kam dashur kombin tim.

Por, e kam dashur kombin tim sipas mënyrës sime.

Kudo që unë jam nderuar në botë për veprat e mia, unë kam lartësuar emrin e shqiptarit. Më vjen mirë që Presidenti e ka vlerësuar këtë.

Sa më shumë jam mirënjohur nëpër botë për veprat e mija, aq më shumë kam dashur që vendi im, kombi im të dekorohet akoma më bukur.

Unë u ktheva në Kosovë në 2007 sepse, unë e dua shumë fshatin tim ku kam lindur dhe ku më rëndon koka,

I dua njerëzit e mijë, e dua Kosovën e Shqipërinë.

… E dua Kombin tim.

Duke u nisur nga dëshira e madhe, krijova idetë e platformën për një Kosovë të zhvilluar, një Kosovë dinjitoze, një Kosovë për të cilën do punonim në mënyrë të sinqertë, për një Kosovë shumë të dashur për njerëzit, për një Kosovë ku jetohet mirë.

Dua që ashtu si unë, bashkëkombësit e mi të mos ikin, por të duan të jetojnë të lumtur në Kosovë, të punojnë në tokën e tyre.

Unë këtu diçka kam bërë, do të bëja akoma më shumë po të më jepet mundësia.

Unë e dua bashkë Kosovën me Shqipërinë dhe e di se ky bashkim nis nga ekonomia. Ky është koncepti im për patriotizmin modern.

Dua ta mbyll këtë fjalë të shkurtër, me një thënie të Mit’hat Frashërit:

“Në punë ta kesh për lavdi të jesh shërbestar. Të jesh i lumtur kur bën një send të dobishëm, edhe sikur të mos e dijë bota”.

Unë u kam shërbyer shumë njerëzve, fshatit tim, Kosovës sime, kombit tim duke punuar shumë. E kisha për lavdi të shërbeja!

Jam i lumtur se kam bërë shumë vepra të dobishme.

Jam dyfish i lumtur, pse punët e dobishme që kam bërë i di jo vetëm bota, por i di dhe kombi im.

Kjo dekoratë është dëshmia që punët e mia i di dhe kombi im.

Faleminderit zoti President.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme