Pacolli: Kosova po fundoset nga pazaret politike, turpi më i madh politik i viteve të fundit

12:39 | 4 Qershor 2025
Q L

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër pas dështimit për herë të 26-të për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur situatën “turpi më i madh politik i viteve të fundit”.

“Për të 26-tën herë Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk po arrin të zgjedhë kryesuesin e tij, një funksion bazë, elementar i funksionimit institucional,  kjo krizë po e fundos shtetin, po e zvarrit të ardhmen, po e mbyt shpresën.”, shkroi ai në një postim në rrjete sociale

Pacolli kujtoi kohën kur ai zgjidhte kriza politike pa u ndikuar nga interesat partiake

“Mua dikur më quanin servil, të paditur e të paaftë për politikë – vetëm sepse zgjidhja krizat politike, pa marrë parasysh se kush ishin partitë apo partnerët. E bëja për Kosovën…”

Ai kritikoi ashpër përfaqësuesit aktualë, duke i akuzuar për mungesë përgjegjësie dhe për përdorim të posteve për qëllime personale:

“Çfarë tregon kjo? Se nuk po kemi më përfaqësues të popullit, por individë të përqendruar në interesa personale, në pazare politike dhe në luftë për pushtet.”

Në fund të reagimit, Pacolli apelon për zgjuarsi dhe reagim qytetar:

“Kjo që po ndodh është një sinjal alarmi që duhet të zgjojë çdo qytetar: sepse nëse ata që i kemi zgjedhur nuk e kryejnë as detyrën më të thjeshtë, atëherë nuk meritojnë të qëndrojnë asnjë ditë më shumë në ato poste.”

“Kosova mbi të gjitha”, përfundon ai mesazhin./Arbresh.info