Pacolli: Gënjeshtra sundon ditën e sotme, por e vërteta sundon të ardhmen

07:17 | 25 Tetor 2025
E.K

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shpërndarë një mesazh reflektues për gjendjen shoqërore dhe morale në vend, duke theksuar se e vërteta ka gjithmonë vlerë më të madhe se zhurma dhe mashtrimi.

Në një postim të titulluar “E Vërteta Vlen Më Shumë se Zhurma”, Pacolli ka shprehur keqardhje për degradimin e disa vlerave që dikur ishin themel i shoqërisë shqiptare, shkruan Arbresh.info

Postimi i plotë:

E Vërteta Vlen Më Shumë se Zhurma

Shumë kam shpresuar dhe jam mburrur kudo për civilizimin e shqiptarëve — një popull që për shekuj i ka përballuar sfidat me nder dhe punë.
Por sot shohim diçka të dhimbshme:

— Dikur krenoheshim me punë.
Sot, me gënjeshtra bukur të formuluara.

— Dikur thoshin: “Mos gënje, thuaj të vërtetën.”
Sot: “Nëse nuk gënjen… përgatitu të vuash.”

— Dikur njerëzit kërkonin të vërtetën, sepse ajo i udhëhiqte.
Sot shumëkush nuk do as ta dëgjojë — sepse e vërteta nuk i shërben interesit të ditës.

— Besimi tek njerëzit, dikur një vlerë e shenjtë,
sot shpesh kthehet pas: jo me mirënjohje, por me mashtrim, tradhti dhe forma të shëmtuara të përfitimit personal.

Kjo është fytyra e shoqërive në tranzicion:

-e vjetra është rrëzuar, por e reja ende s’është ngritur.

-Shumë duan të ngjiten lart, pak duan të ndërtojnë themele.

Por ka një të vërtetë që historia nuk e ka shkelur kurrë:

-Gënjeshtra sundon ditën e sotme,
Por e vërteta sundon të ardhmen.

Unë dua të krenohem me punë time të sinqert

Dua të vazhdoj të besoj tek njerëzit.
Jam ngritur duke ndërtuar themele.
Me të vërtetën unë synoj të ardhmen time dhe të fëmijëve të mi.
Unë zgjedh të qëndroj me të vërtetën.
Se pa të, as zhvillim nuk ka, as dinjitet, as Shqipetari

BP

Shpërndaje në rrjete sociale