Pacolli: Certifikatat e mia juridike nga Kosova, Zvicra dhe Shqipëria janë të pastra si loti, pa asnjë rekord penal

13:10 | 5 Shkurt 2026
E.G

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se gjëja më e çmuar për njeriun është qetësia shpirtërore, duke theksuar se gjatë gjithë jetës së tij nuk ka pasur nevojë t’i japë llogari as drejtësisë, as shoqërisë dhe as Zotit xh.sh.

“Gjëja më e çmuar për njeriun është qetësia shpirtërore – ajo ndjenjë e thellë kur e di se nuk ke nevojë t’i japësh llogari as drejtësisë, as shoqërisë dhe as Zotit xh.sh.”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka theksuar se gjatë mbi 60 vjet veprimtari profesionale, asnjëherë nuk ka qëndruar para një gjykatësi apo prokurori për ndonjë insinuatë, dyshim apo vepër penale.

“Jam krenar që gjatë gjithë jetës sime, përfshirë mbi 60 vjet veprimtari profesionale, asnjëherë nuk kam qëndruar para një gjykatësi apo prokurori për ndonjë insinuatë, dyshim apo vepër penale – madje as për një gjobë të vetme për shpejtësi në timon”, u shpreh ai.

Pacolli ka shtuar se certifikatat e tij juridike nga Kosova, Zvicra dhe Shqipëria janë të pastra dhe pa asnjë rekord penal.

“Certifikatat e mia juridike nga Kosova, Zvicra dhe Shqipëria janë të pastra si loti, pa asnjë rekord penal”, tha mes të tjerash ai.

Në reagimin e tij, ish-presidenti ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, e kanë përfolur figurën e tij publike.

“Kjo, natyrisht, nuk u pëlqen shpirtligjve që mezi kanë pritur të gjejnë një ‘arsye’ për të përfolur emrin tim. Disa prej tyre, të fshehur pas maskës së gazetarit, madje e quajnë ‘tmerr’ faktin që dikush tregon se kush është në të vërtetë Behgjet Pacolli”, theksoi ai.

Në fund të deklaratës, Pacolli ka cituar një thënie të vjetër arabe për të përshkruar qëndrimin e tij ndaj kritikave.

“Qentë lehin, por karavani ecën i qetë.”, tha mes të tjerash Pacolli./Arbresh.info