OVL UÇK kërkon tërheqjen e donatorëve nga publikimi “Masakrat 1998–1999”

13:29 | 31 Mars 2026
E.G

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka njoftuar se i është drejtuar me një letër publike disa institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë mbështetur publikimin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke kërkuar tërheqjen e emrave të tyre nga çdo referencë mbështetëse.

Sipas OVL UÇK-së, kërkesa vjen pas shqetësimeve serioze lidhur me besueshmërinë dhe integritetin e publikimit të autorit Shkëlzen Gashi, si dhe ndikimin e ekspozitës së tij publike në Prishtinë.

Në letrën drejtuar institucioneve, organizata thekson se publikimi, ndonëse prezantohet si studim, nuk mbështetet në një metodologji të qartë kërkimore dhe nuk ofron analizë të strukturuar të burimeve. Sipas tyre, kjo e afron më shumë me një përmbledhje sesa me një hulumtim të mirëfilltë shkencor.

Po ashtu, OVL UÇK vlerëson se në disa raste publikimi përfshin ngjarje të cilat cilësohen si “masakra”, edhe pse mungojnë burime të mjaftueshme për t’i mbështetur ato, ndërkohë që paraqiten të dhëna konkrete si data, vendndodhje dhe numri i viktimave, duke krijuar kontradikta dhe dyshime për saktësinë e informacionit.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mënyrën e klasifikimit të viktimave, e cila sipas organizatës është e ngurtë dhe reduktuese, duke mos reflektuar kompleksitetin e rrethanave në terren dhe duke rrezikuar interpretim të deformuar të ngjarjeve.

Në letër përmenden gjithashtu mospërputhje në të dhënat numerike të viktimave dhe përdorimi i materialeve vizuale që, sipas OVL UÇK-së, nuk përkojnë gjithmonë me ngjarjet e paraqitura, duke ndikuar negativisht në kredibilitetin e publikimit.

OVL UÇK thekson se përfshirja e institucioneve në mbështetjen e këtij publikimi nuk është neutrale, pasi krijon perceptim publik të lidhjes së drejtpërdrejtë me përmbajtjen e tij, pavarësisht deklarimeve formale për distancim nga qëndrimet e autorit.

Duke u bazuar në këto argumente, organizata u ka bërë thirrje institucioneve që të tërheqin emrat e tyre nga publikimi, duke theksuar se ruajtja e së vërtetës historike është një përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe brezave të ardhshëm.

Letra u është adresuar organizatave si Community Development Fund (CDF) – Embassy of Sweden in Kosovo, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Institute of International Education (IIE), Swiss Federal Department of Foreign Affairs (FDFA) – Embassy of Switzerland in Kosovo, Cultural Heritage without Borders (CHwB), si dhe Kosovo Foundation for Open Society (KFOS) / Open Society Foundations.