Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Republikës së Kosta Rikës në Republikën e Kosovës, Olga M. Sauma Uribe.
Me këtë rast, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores dhe e përgëzoi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i ambasadores do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.
Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e hershme dhe parimore të Kosta Rikës për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ajo vuri në pah se Kosova i vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me shtetet e Amerikës Latine dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me vendet e këtij rajoni në fusha me interes të ndërsjellë.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në diplomaci, ekonomi dhe veçanërisht në turizëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet dy vendeve, si hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit midis qytetarëve tanë, bizneseve, si dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Në përmbyllje, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me Kosta Rikën dhe me shtetet e tjera të Amerikës Latine në avancimin e prioriteteve të përbashkëta për paqe, demokraci dhe zhvillim.

Hamza: S’mund të ulet çmimi kur rritet kostoja e prodhimit, ...
ZRRE publikon raportet konsultative për të hyrat maksimale t...
Me 63 vota kalon shmangia e afatit për Projektligjin e produ...
Kryeministri Kurti mori pjesë në Konferencën e Londrës për M...
Ligji për çmimet tavan, Murati: Nuk është kundër bizneseve, ...
Konflikti në Lindjen e Mesme/ Industria e aeroporteve parala...