Osmani përkujton Bajram Kelmendin dhe dy djemtë e tij në 26-vjetorin e vrasjes, kërkon drejtësi

10:37 | 25 Mars 2025
E.H

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kujtuar avokatin Bajram Kelemendin dhe dy djemtë e tij Kastriotin dhe Kushtrimin, në 26-vjetorin e vrasjes.

Osmani tha se Kelmendi dhe dy djemtë e tij u rrëmbyen nga regjimi serb dhe u ekzekutuan mizorisht, teksa shtoi se ky akt barbarë, synonte ta dekurajonte luftën tonë për liri, përcjell Arbresh.info

Tutje, e para e shtetit riafirmoj përkushtimin e palëkundur se drejtësia për Bajram Kelmendin dhe bijtë e tij nuk do të mbetet vetëm një premtim, por një betim.

Postimi i plotë:

Presidentja Osmani kujton Bajram Kelmendin, Kastriotin dhe Kushtrimin

Njëzet e gjashtë vjet më parë, Kosova humbi një luftëtar të palëkundur të drejtësisë, avokatin Bajram Kelmendi, dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.

Në orët më të errëta të historisë sonë, ata u rrëmbyen nga shtëpia e tyre nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit dhe u ekzekutuan mizorisht.

Ky akt barbarie synonte ta dekurajonte luftën tonë për liri.

Por, dhuna nuk arriti ta shuajë të vërtetën dhe krimet nuk e ndalën përpjekjen për drejtësi. Sot, ne nuk i kujtojmë vetëm si viktima të një regjimi kriminal, por si simbole të qëndresës, të idealeve për një Kosovë të lirë dhe demokratike.

Jeta dhe sakrifica e Bajram Kelmendit është testament i guximit, ndërsa vrasja e tij dhe e djemve është kujtesë e përhershme për borxhin tonë ndaj drejtësisë.

Në këtë përvjetor, riafirmojmë përkushtimin tonë të palëkundur: drejtësia për Bajram Kelmendin dhe bijtë e tij nuk do të mbetet vetëm një premtim, por një betim. Brezat që vijnë do të mësojnë për ta jo vetëm si viktima të një mizorie, por si flamurtarë të pathyeshëm të një populli që nuk u dorëzua kurrë.

Qoftë i përhershëm kujtimi për ta!

Shpërndaje në rrjete sociale