Osmani për krizën humanitare në Gaza: Fëmijët nuk fillojnë luftëra, por janë ata që vuajnë më shumë

13:57 | 28 Korrik 2025
E.H

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me krizën humanitare në Rripin e Gazës, duke theksuar se fëmijët janë viktimat më të mëdha të çdo konflikti dhe se dhimbja e tyre duhet të mobilizojë botën drejt paqes dhe drejtësisë.

Përmes një postimi në X, Osmani e cilësoi situatën në Gaza si “zemërthyese” dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve të pafajshëm, veçanërisht të fëmijëve, transmeton Arbresh.info.

“Fëmijët nuk fillojnë kurrë luftëra! Por ata janë ata që vuajnë më shumë dhe mbajnë pasojat më të mëdha të çdo konflikti. Katastrofa humanitare në Gaza dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve, është zemërthyes dhe duhet të marrë fund. Çdo fëmijë, çdo familje, pavarësisht kombësisë apo fesë, është e çmuar dhe duhet të mbrohet”, ka shkruar Osmani.

Presidentja shprehu mbështetje të fuqishme për përpjekjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për arritjen e një armëpushimi dhe për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.

Duke riafirmuar angazhimin e Kosovës për paqe dhe drejtësi ndërkombëtare, Presidentja theksoi se Kosova do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare që synojnë ndërtimin e një të ardhmeje ku izraelitët dhe palestinezët të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë.

“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet për armëpushim të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, duke përfshirë përpjekjet për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Ndërkohë, sigurimi i aksesit në ushqim, ujë dhe ilaçe për më të prekshmit duhet të mbetet një përparësi kryesore për të lehtësuar vuajtjet e shkaktuara nga lufta midis të pafajshmëve. Kosova vazhdon të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare që synojnë arritjen e një të ardhmeje të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore, ku si izraelitët ashtu edhe palestinezët mund të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë, me një angazhim të përbashkët për mbrojtjen e jetës njerëzore. Derisa të realizohet kjo e ardhme, duhet të bëhet çdo përpjekje për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve të pafajshme dhe për të lehtësuar vuajtjet e të gjithë njerëzve”, tha Osmani./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale