Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.
Presidenca ka bërë të ditur se gjatë takimit përveç zhvillimeve politike, është diskutuar edhe nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme, shkruan Arbresh.info.
“Shqipëria, sipas Presidentes Osmani e ka mbështetur Kosovën përgjatë periudhave të rënda për popullin e saj, sikurse edhe në procesin e shteformimit dhe shtetndërtimit, ndaj ka falënderuar ministrin Hasani dhe shtetin shqiptar”, thuhet në komunikatë.
Bëhet e ditur se presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.
“Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve”, ka deklaruar presidentja Osmani.

Tutje, ajo ka potencuar se forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm, i cili ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë.
“Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për kontribut të vazhdueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë”, është shprehur Presidentja Osmani.
Ajo poashtu theksoi se për Kosovën, Shqipëria është jo vetëm një partner strategjik, por edhe shtet me të cilin ka lidhje vëllazërore, kulturore e kombëtare.
Bëhet e ditur se Osmani dhe Hasani diskutuan edhe për koordinimin për çështjen e njohjeve të reja, përfshirjen në partneritetin për paqe si një hap paraprirës i anëtarësimit në NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Osmani ka folur edhe për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë dhe lidershipit të saj, me ç’rast tha se kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar por edhe të vendeve të rajonit në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit./Arbresh.info/

Gjendet trupi i pajetë i një gruaje në lumin e fshatit Graba...
KQZ mban sot mbledhje, ky është rendi i ditës
Nesër ndërpritet furnizimi me ujë në Bregun e Diellit
Lando Norris, kampioni i botës në Formula 1
116 për VV-në, Kurti: Me qytetarët drejt një fitoreje edhe m...
Zelensky sytë kah Evropa pasi bisedimet SHBA-Ukrainë përfund...