Osmani: Epopeja e Dukagjinit – kujtesë dhe testament i sakrificës

18:24 | 24 Mars 2026
R J

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar si një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës për liri.

Nëpërmjet një deklarimi zyrtar të publikuar nga Presidenca, Osmani shkruan:

Sot, me nderim dhe përulje, kujtojmë 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë për liri.

Më 24 mars 1998, në Gllogjan, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi betejën frontale në këtë zonë, duke u përballur me guxim me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, të cilat kishin rrethuar fshatin dhe në mënyrë të veçantë familjen  Haradinaj, e cila  u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.

Në atë ditë të lavdishme, ranë për liri dëshmorët Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, duke u bërë përjetësisht pjesë e historisë sonë kombëtare.

Epopeja e Dukagjinit është kujtesë dhe testament i sakrificës, guximit dhe vendosmërisë për liri. Ajo mbetet frymëzim i përhershëm për brezat që ta ruajmë dhe forcojmë shtetin, të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve.

Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!

Shpërndaje në rrjete sociale