Organizatori: Mbesa e Mehmet Derallës deshi ta ofendoj Ilir Metën, prandaj reagoi kryeministri Haradinaj

16:57 | 10 Qershor 2018
M. A.

Organizatori i ceremonisë së manifestimit të njëqind e dyzet vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Jahja Lluka, ka sqaruar incidentin e ndodhur sot në Prizren, në të cilin u përfshi edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke larguar nga foltorja një grua, që nuk ishte fare e ftuar në ceremoni dhe nuk ishte fare pjesë e protokollit, shkruan Periskopi.

Lluka në një prononcim për Periskopin, ka thënë se një ngjarje e tillë është normale, pasi në botë ka skandale edhe më të mëdha.

“Asgjë s’ka ndodhur që s’ka ndodh në gjithë botën. Ekcese në botë ka edhe ma të këqia, kur dalin edhe lakuriq, masi po të intereson kjo punë, ku ka sigurim shtetëror e ka çështje tjera”, ka thënë Lluka për Periskopin.

Sipas organizatorit, arsyeja që kryeministri kishte ndërhyrë për ta larguar nga foltroja gruan në fjalë, ka qenë ofendimi që ajo i ka bërë presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Metës.

“Në një manifestim, ka dalë dikush që e ke ofendu presidentin Ilir Meta, dhe meqenëse se ka qenë mysafir i kryeministrit, ka reagu, dhe gjithçka ka qenë në rregull”, është shprehur ai.

Sipas Llukës fakti që Meta ka qenë i ftuar i kryeministrit, ka nxitur edhe reagimin e këtij të fundit.

“Ajo gruaja ska qenë e ftuar. Ajo ka ardhë me e ofendu presidentin Ilir Meta, dhe për ne nuk ka qenë në rregull me na ofendu një mysafir, tek e fundit jemi shqiptar”, ka thënë ai.

Lluka thotë se i gjithë organizimi i manifestimit të 140 vjetorit u ka marrë muaj të tërë, dhe nuk është e drejtë që kjo gjë të zbehet për shkak të një incidenti.

“Nuk ka ndonjë ekces qe e dramatizoni aq shumë ju. Pse ju nuk e vlerësoni organizimin e manifestimit të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku komisioni e Komuna kanë punuar me muaj njerëz, ju kapeni për një njëri që ka dalë jashtë protokollit. Po kapeni për një ekces që s’mundet me e ndal kërkush, është dashtë ato dikush me e kap për fyti ndoshta për mos me dalë aty, ndoshta këtë po e dëshironi…? Gjithkun në botë ekzistojnë ngjarje të tilla kur dikush i paftuar dhe i paautorizuar del në një ngjarje kulturore a sportive, ju po harroni që ka pasur raste që i kanë gjuajtur presidentët me këpuca edhe me gjëra tjera”, është shprehur ai.

I pyetur nga Periskopi, se pse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka ndihmuar gruan që kishte marrë fjalën duke ia lëshuar mikrofonin, e që pas pak e njejta u largua nga Haradinaj, Lluka ka thënë se për këtë gjë duhet ta pyesni Veselin.

“Mirë de, ajo është çështje e z.Veselit, pse ai ia ka dhez mikrofonin, pyetni Kadri Veselin pse ia ka dhezë mikrofonin”, ka përfunduar Lluka për Periskopin.

Gruaja e cila është bërë pjesë e incidentit të sotëm në 140 vjetori e Lidhjes së Prizrenit pretendon se është pasardhëse e familjes së Mehmet Derallës duket se i ka fiksim tubimet që organizohen për nder të ndonjë ngjarjeje historike.

Ajo thuhet se njejtë ka vepruar në disa orgnaizime në Tiranë the Tetovë.

Shpërndaje në rrjete sociale