Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka reaguar pas rikthimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), duke e cilësuar këtë si një fitore të integritetit profesional ndaj ndërhyrjeve politike.
Në komunikatën për medie, ORCA thekson se “ky rikthim shënon një sukses të madh institucional, por mbi të gjitha, një fitore të profesionistëve të pavarur ndaj ndërhyrjeve politike të viteve të fundit”.
ORCA përgëzon kryetaren e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, prof.Hasnije Ilazi, dhe Drejtorin e AKA-së, Naim Gashi, për siç thotë organizata “udhëheqjen e palëkundur dhe integritetin profesional që e kanë rikthyer Agjencinë në standardet evropiane”.
“Ky sukses është gjithashtu fryt i punës së pandalshme të ish-anëtarëve të KShC-së, prof. Rozafa Koliqi dhe prof. Dukagjin Zeka, të cilët mbajtën barrën më të rëndë në kohët më kritike, pas përjashtimit të Kosovës nga EQAR dhe uljes në statusin ‘anëtare nën vëzhgim’ nga ENQA në vitin 2019”, thuhet në komunikatë.
Sipas ORCA-s, “përjashtimi atëkohë ishte rezultat i shkarkimit të paligjshëm të bordit të Agjencisë nga qeveria Haradinaj – një ndërhyrje e pastër politike që e la Kosovën jashtë mekanizmave evropianë për sigurimin e cilësisë”.
Organizata rikujton se “rruga ka qenë vazhdimisht e penguar nga akterë të ndryshëm” me qëllim të lehtësimit të akreditimeve për institucionet private, “duke sabotuar universitetet publike që kanë investuar me përkushtim në standarde të larta akademike”.
Mes tjerash, ORCA thekson se “Agjencia është sot më e fortë, më e pavarur dhe më e besueshme, si në sytë e studentëve dhe profesorëve në Kosovë, ashtu edhe në sytë e partnerëve evropianë” dhe se “ky moment duhet të shërbejë si pikë kthese për ta ndaluar njëherë e mirë ndërhyrjen politike në institucionet e pavarura dhe zbatimin e ligjeve në përpikëri”.
Arrestohet një person për disa raste të vjedhjes në Ferizaj
PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për t...
Orav përshëndet konsolidimin e qeverisjes lokale në 20 komun...
Qeveria britanike ofron deri në 3000 paund për emigrantët sh...
Gjermania hedh poshtë pretendimet e SHBA për Evropën: Ne nuk...
BE mirëpret betimin e kryetarëve në komunat e veriut