Orav: Asociacioni mbetet obligim, kërkohen qasje të reja në dialog

14:45 | 21 Mars 2026
R J

Shefi në largim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë një obligim në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, pavarësisht se nuk është theksuar së fundmi në agjendën publike.

 

Në një intervistë për media në gjuhën serbe, Orav theksoi se BE-ja prej kohësh ka kërkuar që draft-statuti i Asociacionit t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësim.

Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur, pasi është konsideruar se Gjykata nuk ka juridiksion për ta trajtuar këtë çështje.

Ai vlerësoi se mbajtja e të njëjtit qëndrim për një periudhë të gjatë, pa rezultate konkrete, nuk është produktive dhe nuk i shërben procesit.

Sipas tij, në rrethana të tilla, diplomacia kërkon fleksibilitet dhe gjetjen e formave të reja për të avancuar çështjet e hapura.

Orav rikujtoi se qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar: Asociacioni duhet të formohet në bashkëpunim me komunitetin serb dhe brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Ai shtoi se, pavarësisht kohës së realizimit, kjo çështje nuk është hequr nga tavolina dhe mbetet pjesë e obligimeve të dakorduara nga palët.

“Bashkimi Evropian e ka mbajtur këtë qëndrim për një kohë mjaft të gjatë që ky draft i Asociacionit së duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk është dërguar ende. Gjykata Kushtetuese tha gjithashtu se në fakt ata nuk kanë çfarë të bëjnë sepse nuk kanë autoritet ta vlerësojnë atë. Dhe ky qëndrim u mbajt për një kohë mjaft të gjatë. Përsëri, ne mund ta mbajmë këtë qëndrim për një kohë shumë, shumë, shumë të gjatë, por nëse e dimë se nuk do të ndodhë, atëherë mendoj se ky lloj qasjeje nuk i ndihmon askujt. Pra, në diplomaci, ne duhet të gjejmë mënyrat se si t’i trajtojmë këto çështje. Dhe tani, nëse e lexoni edhe një herë, ose dëgjoni, dua të them, nuk ka asnjë dokument, deklaratën e emisarit Serensen, ne e kemi marrë parasysh, duhet të bëhet, pa ndërprerje, komunitetin serb dhe dialogun e BE-së. Dialogu i Brukselit do të thotë dialog. Dialog, do të thotë gjithashtu Asociacion. Edhe nëse vjen më herët apo më vonë apo kështu me radhë, ai nuk është zhdukur, edhe nëse nuk u artikulua aq qartë, Asociacioni është aty. Dhe pastaj qeveria e di këtu, Beogradi e di, dhe emisari Serensen e di shumë mirë gjithashtu”, ka deklaruar Orav.