OEK kritikon ZRRE-në, ZRRE: Procesi vazhdon sipas Supremes

22:15 | 18 Nëntor 2025
E.G

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka kritikuar ZRRE-në për dëmet ekonomike nga liberalizimi i tregut të energjisë dhe kërkoi zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme. Ndërsa, ZRRE reagoi duke thënë se aktgjykimi e konfirmon vazhdimin e procesit, vlefshmërinë e kontratave në treg të hapur dhe se tarifat e rregulluara u takojnë vetëm konsumatorëve të shërbimit universal.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, i ka kërkuar ZRRE-së ta zbatojë plotësisht aktgjykimin e Gjykatës Supreme për liberalizimin e tregut të energjisë, duke thënë se interpretimi i deritanishëm ka dëmtuar rëndë bizneset dhe qytetarët, ka rritur çmimet dhe ka ulur konkurrueshmërinë.

“Në kushte normale situata është kthyer në pikën zero për shkak se në momentin që i ka anulua Gjykata Supreme ato dy nene, çështja e tregut të lirë është kthyer në pikën zero. Tani ZRRE është dashtë që KEDS-in ta njoftoj dhe t’i kthej në çmimin e rregulluar të gjitha këto biznese 1300 biznese që i ka detyrua me dal në tregun e lirë dhe duhet të ulet dhe ta siguroj bazën e qartë ligjore”, tha Lulëzim Rafuna, kryetar i OEK.

Në një konferencë të thirrur për medie, Rafuna theksoi se rritja e çmimit të energjisë ka ndikuar ndjeshëm në inflacion, i cili sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka kaluar 5.1 për qind, dhe paralajmëroi se OEK do të ndërmarrë veprime të tjera nëse vendimi nuk zbatohet.

Në anën tjetër, në reagimin e saj, ZRRE tha se aktgjykimi e konfirmon vazhdimin e procesit të liberalizimit, vlefshmërinë e kontratave në treg të hapur dhe faktin që tarifat e rregulluara u takojnë vetëm konsumatorëve të shërbimit universal.

“Bazuar në pikën IV të Aktgjykimit është hedhur poshtë kërkesëpadia e paditësit përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, po ashtu është hedhur poshtë edhe kërkesëpadia për korrigjimin e faturave, si dhe shfuqizimin e të gjitha kontratave individuale për konsumatorët jo familjar, si të palejueshme. Rrjedhimisht, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi”, thuhet në reagim.

Më tutje në reagimin për medie të ZRRE-së thuhet se “ZRrE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ka për obligim të përcaktojë tarifa të energjisë elektrike me pakicë vetëm për konsumatorët e energjisë elektrike që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, dhe jo për konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret e furnizimit me shërbim universal.

ZRRE bëri të ditur se do t’i shfuqizojë dy dispozita të vjetra të udhëzuesve, ndërsa procesi i liberalizimit vazhdon pa ndërprerje.

Shpërndaje në rrjete sociale