Oda Ekonomike Amerika ka reaguar kundër institucioneve të vendit, përkatësisht Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tyre nuk u morr fare me dukurinë e luftimit të korrupsionit.
Përmes një komunikate për media, ky institucion thotë se OEAK, ka kërkuar më herët edhe publikisht në dhjetor të vitit 2014 që Qeveria e re të vendos luftimin e korrupsionit në krye të agjendës qeveritare. Por, fatkeqësisht gjatë periudhës së kaluar, agjenda politike ka lënë në rend të dytë prioritetet e tjera të rëndësishme, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit.
Efektet e këtij fenomeni në jetën ekonomike, shoqërore dhe politike sipas OEAK-ut, nuk duhet të nënvlerësohen dhe marrja e masave adekuate është e një rëndësie vitale për procesin e shtetndërtimit në Kosovë.
“Përkundër përmirësimit të renditjes së Kosovës në raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2015, të Transparency International, ku Kosova rangohet në vendin e 103 (nga gjithsej 168 shtete) krahasuar me vitin e kaluar kur është ranguar në vendin e 110 (nga gjithsej 175 shtete), Oda Amerikane beson se nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi, duke e pasur parasysh se vlerësimi këtë vit është bërë brenda një numri më të vogël shtetesh”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane.
Në nivel global, sipas OEAK, Kosova ende i përket grupit të shteteve me prani të lartë të korrupsionit, gjë që jo vetëm dëmton imazhin e Kosovës, por edhe zbeh potencialet e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Ashtu si ceket edhe në raportet e Komisionit Evropian, lufta kundër korrupsionit ka qenë pengesa kryesore e Kosovës drejt proceseve integruese, veçanërisht në aspekt të liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian.
“Përkundër përmirësimit të rangimit të Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, shoqërisë kosovare i mbetet ende shumë punë për të bërë në eliminimin e korrupsionit. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mekanizmave të drejtësisë dhe përmirë simit të zbatimit të ligjit. Një gjyqësor efikas, i pavarur dhe i përgjegjshëm, do të ishte i rëndësishëm në aspekt të uljes së rrezikut të investimeve dhe përmirësimit të zbatueshmërisë së kontratave, dhe rrjedhimisht do të dërgonte një sinjal tejet të rëndësishëm tek investitorët e huaj potencial”, thuhet më tutje në komunikatë.
Oda Amerikane mirëpret zbatimin e prokurimit elektronik, si një hap i rëndësishëm në drejtim të zgjidhjes së sfidave në proceset e prokurimit publik, ku perceptimi për prani të korrupsionit është i lartë.
“Është më se evidente se vetëm platforma elektronike nuk do të mundësojë zhdukjen e plotë të korrupsionit nga aktivitetet e prokurimit, megjithatë do të ndihmojë në aspekt të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Ekzistimi i organeve të fuqishme, të pavarura dhe profesionale në strukturën institucionale të prokurimit publik, do t’i mundësonte vendit të maksimi zojë përfitimet e mundshme nga prokurimi elektronik. Në këtë aspekt është i nevojshëm edhe fuqizimi i mekanizmave për raportimin e korrupsionit”, thuhet po ashtu në këtë komunikatë.
Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga qeveria dhe institucionet e drejtësisë që të ushtrojnë funksionet e tyre në luftën kundër korrupsionit, duke siguruar zbatim të drejtë dhe efikas të legjislacionit, duke theksuar se është momenti i fundit kur lufta kundër korrupsionit duhet të jetë në krye të agjendës qeverisëse në vend.
E konfirmon Kremlini, Witkoff dhe Putin do të takohen nesër
Hamza thotë se PDK do të shkojë në zgjedhje të brendshme kët...
Arrestohen katër persona për disa vjedhje të rënda në Obiliq...
Mbi 40 minuta kafe në një restorant në Vlorë, Rama dhe vajza...
Bora siguron kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovë...
Kongresi i SHBA-së adreson diskriminimin ndaj shqiptarëve në...