Banorët e disa fshatrave të Prizrenit kanë kaluar një javë pa energji elektrike. Ata organizuan një protestë në udhëkryqin e fshatrave Grazhdanik, Kobaj dhe Nashec, duke shprehur pakënaqësinë e tyre dhe duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë. Deri më tani, përfaqësuesit e këtyre fshatrave nuk kanë arritur të realizojnë një takim me zyrtarët e KEDS-it në Prizren për të diskutuar çështjen.
Banorët e fshatit Grazhdanik, Kobaj dhe një pjesë e fshatit Nashec të Prizrenit, tash e një javë kanë mbetur pa energji elektrike. Në ditën e shtatë, ata vendosën të dalin në rrugë për t’i shprehur pakënaqësitë për këtë problem, duke vënë në pah se dëmet në ekonomitë familjare janë të mëdha, ndërkohë që disa nga ta nëpër shtëpi kanë familjarë me shëndet të ligë.
“Jam me fëmijë të sëmurë 34 vjeç, nuk kam ku me la, s’kam ku me la sot, KDS-i i bën këto sene, kur vjen puna me paguar, mos me ia pagu, vjen ta këput aty”, tha Gjergj Berisha, banor i Grazhdanikut.
“Kemi pas edhe një festë, çdo vit është më 17 gusht, sigurisht bashkëfshatarët tanë kanë blerë gjëra ushqimore më shumë se zakonisht ditëve të tjera, iu ka dashur krejt ti hedhin në mbeturina”, tha Kolë Boqaj, banor i Grazhdanikut.
“Janë djegë sendet se bleva agregata të vegjël, i qita në rrymë, janë djeg gjërat, njerëzit janë revoltuar, s’dimë çka të bëjmë”, tha Vitor Kala, banor i Grazhdanikut.
Banorët e kësaj ane thonë se kanë kontaktuar disa herë zyrtarët e KEDS-it, por deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje.
“Ne kemi kërkuar prej tyre që defekti të rregullohet sa më parë, ky defekt është prej 14 gushtit, nuk kemi dashur të arrijmë deri te kjo ku jemi sot, popullata është e revoltuar jashtëzakonisht dhe kanë të drejtë”, tha Shukri Quni, përfaqësues i fshatrave Grazhdanik, Kobaj, Nashec.
“Kërkojmë nga KEDS-i që mos të pyeten banorët, ta gjejë mundësinë e vet dhe ta kryejë punën e vet, në çfarëdo forme që ata mendojnë se është më e mirë, le ta kryejnë punën e tyre”, tha Alban Bislimaj, përfaqësues i fshatit Kobaj.
Për t’i evituar problemet dhe shqetësimet, përfaqësuesit e këtyre anëve ende nuk kanë arritur të realizojnë një takim me zyrtarët e KEDS-it në Prizren.
Disa përfaqësues të lagjeve kanë kërkuar takim me zyrtarë të KEDS-it në Prizren, por sipas Shukri Qunit, ata nuk janë pritur në zyrat e KEDS-it të Prizrenit.
“Për rastin në fjalë, para gjashtë vitesh, sipas informatave, një person ka bërë dislokimin në mënyrë të paautorizuar në rrjetin e tensionit të mesëm, rast që është raportuar tek autoritetet përkatëse. Aty së fundmi ka ndodhur një prishje, rregullimi i së cilës është i pamundur shkaku i konfiguracionit të vendit ku ka qenë rrjeti paraprakisht. KEDS-i u ka ofruar zgjidhje këtyre konsumatorëve përmes vendosjes së tri shtyllave elektrike buzë rrugës, gjë që po refuzohet nga ta. Edhe dje, ekipet e KEDS-it kanë dalë në vend për t’i instaluar ato, por prapë janë refuzuar, për çka është informuar edhe Policia e Kosovës”, ka sqaruar përmes një përgjigjeje me shkrim zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.
Ndërkaq, një protestë tjetër është paralajmëruar sërish për të enjten në mëngjes./rtk
Pas dy vitesh luftë ndizet sërish Pema e Krishtlindjes në Be...
Këndohet kënga e Shpat Kasapit, bëhet viral reagimi i banori...
Londrimi këshillon Labin për lojë: Mos i beso askujt këtu
Zhegrova është 100 përqind i gatshëm, pritet të ketë më shum...
Polonia i jep fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi
“Shqipëria është në një nivel tjetër”, Rama për buxhetin 202...