Nisma: Marrëveshjet me Serbinë e ndajnë Kosovën në vija etnike

17:34 | 18 Shtator 2015
Gita

Në mbledhjen e organit më të lartë të NISMA për Kosovën, është diskutuar për situatën aktuale politike, krijimin e opozitës së bashkuar e në veçanti rreth Peticionit të organizuar nga fronti i bashkuar opozitar, për kundërshtimin e katër marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë, që lidhen me krijimin eAsociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, barrikadën në Urën e Ibrit në Mitrovicë, Kodin Telefonik shtetëror, për marrëveshjen për energjinë, si dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Këshilli Kombëtar i “NISMA për Kosovën” vlerëson se këto marrëveshje me Serbinë e ndajnë Kosovën në vija etnike, duke krijuar një entitet të ri politik serb brenda Kosovës që rrezikon copëtimin e territorit, mos funksionimin e shtetit, dhe pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Këshilli Kombëtar dhe kryetarët e degëve të NISMA për Kosovën, i japin mbështetje të fuqishme peticionit të organizuar nga opozita e bashkuar (LVV, AAK dhe NISMA), dhe do të vazhdojmë së bashku deri në ndalimin e politikave të dëmshme që po i bëhen vendit nga qeverisja aktuale.

“NISMA për Kosovën nuk do të ndalet në asnjë moment, sepse këtu bëhet fjalë për të ardhmen e vendit, dhe kërkon po ashtu nga qytetarët që këtë situatë në vend, që e ka sjell koalicioni LDK-PDK, ta ndjejnë si një goditje ndaj qytetarit dhe ndaj shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik.

Shpërndaje në rrjete sociale