Nisin punimet në Aeroportin e Vlorës, Rama për Pacollin: Me veprat e tij e ka çuar emrin në shumë vende të botës

12:57 | 28 Nëntor 2021

Pikërisht në Ditën e Flamurit nisën punimet për Aeroportin e ri të Vlorës.

Me rastin e vënies së gurthemelit të këtij aeroporti, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama fillimisht ua uroi të gjithëve shqiptarëve festën e Flamurit, ditën e Pavarësisë.

Rama tha se sot po niset një hap i ri me një personalitet siç është Behgjet Pacolli, puna e të cilit është çmuar në shumë vende të botës, shkruan arbresh.info.

“Sot nisim një hap të ri me një mik të mirë, një personalitet i cili me veprat e tij e ka çuar emrin në shumë vende të botës dhe çmohet prej popujve dhe prej shumë njerëzve për ato që ka bërë”, u shpreh Rama.

Ai tha se nuk ishte e thënë që ky proces të ishte fjollë, pasi edhe pandemia u fut në mes, por qeveria shqiptare nuk reshti së bëri përpjekje deri sa gjërat erdhën aty ku duhen dhe derisa sa erdhi Baca Behgjet.

“E falenderoj shumë bacën Behgjet ,sepse kjo për të ardhur deri këtu në këtë ditë ka qenë më e vështira dhe për dreq qëlloi të ishte një punë që duhej bërë në Vlorë dhe mu desh të përballoja dhe gjithë padurimin e vlonjatëve , se ata janë kampionë për këtë gjë. Nuk ishte e thënë që ky proces të ishte fjollë, se për dreq na u fut në mes dhe pandemia, por ne nuk reshtëm së bëri përpjekje deri sa gjërat erdhën aty ku duhen. Derisa sa erdhi Baca Behgjet. Sot ne jemi këtu jo vetëm me konsorciumin e krijuar nga Baca po dhe me një aleancë me aeroportin e Mynyhut”, tha Rama.

Ky aeroport, sipas Ramës, bëhet porta e tretë, ndër 4 nga qielli që ne duam të hapim, se e 4 është aeroporti sezonal i Sarandës.

“Është fantastike që aeroporti i Mynuhut vjen në Vlorë ,e cila garanton jo vetëm një menaxhim të nivelit më të lartë por dhe atë sinergjinë me struktura të tjera, se aeroportet janë si klane familjare sepse nuk mjafton të bësh një infrastrukturë të bukur, por duhet edhe të kesh aleanca që të menaxhosh një numër të madh pasagjerësh. Ky aeroport bëhet porta e tretë, ndër 4 nga qielli që ne duam të hapim, se e 4 është aeroporti sezonal i Sarandës, që do funksionojë në mbështetje të sezonit të pikut. Prandaj ne na duhen 4 aeroporte, se mbase pas 20 vitesh mund të na duhen më shumë”, u shpreh Rama.

Në ceremoninë e fillimit të procesit të punimeve në Aeroportin e Vlorës ishin pjesëmarrës edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe biznesmeni kosovar njëherësh edhe ndërtuesi i këtij aeroporti, Behgjet Pacolli.

Ndryshe, Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli, kompania e të cilit u shpall fituese ka vendosur që pikërish 28 Nëntori data historike e festave kombëtare të jetë datë kur të vihet edhe gurthemeli për ndërtimin e këtij aeroporti, shkruan arbresh.info.
Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe konsorciumit të kompanive Mabetex Group (50%), YDA-Group (48%) dhe kompania 2A Group shpk (2%) është nënshkruar në prill të këtij viti.

Vlera e investimit është rreth 100 milionë euro.

Qeveria e Shqipërisë kishte rihapu garën ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportin e Vlorës më 23 nëntor. Kjo ishte hera e tretë që qeveria kishte hapur garën për aeroportin e Vlorës.

Fillimisht në dhjetor të 2019 qeveria hapi garën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ku afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë ishte 12 mars 2020.
Më pas tenderi u rihap në tetor 2020, por në 10 nëntor, Balluku njoftoi dështimin e tenderit për herë të dytë, për shkak të pandemisë së Covid-19./arbresh.info/

LEXO EDHE

Vihet gurthemeli i Aeroportit të Vlorës, Pacolli: Do jetë aeroporti më i bukur dhe më funksional i këtyre trojeve – Arbresh.info

Lajmet më të lexuara