Google ADS

Nis përgatitja e turshive, ushqim që nuk mungon në tryezën shqiptare në sezonin e vjeshtë-dimër

15:02 | 10 Shtator 2023
E.H

Perimet e fermentuara janë metoda të vjetra të përgatitjes së turshive.

Sapo përfundon muaji gusht, në vendin tonë nis përgatitja e turshive për sezonin e vjeshtës dhe dimrit.

Përveç shijes së mirë, turshit mund të kombinohen me çdo lloj ushqimi në tryezën shqiptare, raporton Arbresh.info.

Ushqimet e fermentuara janë të pasura, po ashtu me probiotik, baktere të mira laktobacile.

Kultivimi i turshive për shumë gra, të cilat kanë vazhduar traditën e të parëve, është kthyer në biznes.

Valbona Ajeti nga fshati Sllatinë e Epërme të Komunës së Vitisë, është pronare e kompanisë “Grasep”. Ajo na tregon sfidat dhe sukseset që ka arritur me këtë biznes që nga viti 2015.

“Fillimisht ka qenë iniciativë e grave. E kemi ditë këtë punë edhe më herët, nuk ka qenë një punë e panjohur për ne dhe kemi vendosur që të kontribuojmë edhe ne për familje. Kemi punuar në kushte amvisërie, nuk kemi pasur shumë kushte kemi punuar në një garazh të veturave me dy tavolina, kemi pasur kushte të thjeshta. Ka qenë shumë vështirë për me pas vetëm një recetë dhe kemi punuar të gjithë me një recetë. Nuk ka qenë e lehtë ai proces por falë donatorëve dhe trajnime kemi arrit këtu”, tregon ajo.

Tashmë në kompaninë e saj, Ajeti ka 15 punëtore dhe biznesi i saj është rritur.

Produktet ajo thotë se i merr nga fermerët në Viti. Po ashtu sipas saj, cdo gjë që përdoret për prodhimin e turshive është bio dhe e sterilizuar.

“Për momentin kemi 15 punëtore në kompani. Ne e kemi si proces të punës në janar i bëjmë marrëveshjet me fermerët, 80 për qind e produktit vjen prej fermerëve tanë në Viti. Kemi një tokë të klasës së parë dhe tjetrën pjesë e marrim nga rrethina. Kur e bëjmë marrëveshjen i ndajmë parcelat se çka kemi me konservuar dhe çfarë kërkesa kemi. E kemi një rregull edhe me ata fermer që punojmë, i përcjellim me agronom që të mos përdorin pesticide, sepse ne në kompani nuk përdorim. Përdorim çdo gjë bio dhe të sterilizuar dhe me qelq”, tha Ajeti.

Tash e tetë vite, Ajeti është marrë me kultivimin e 13 produkteve.

Përveç turshive, ajo tregon se merret edhe me kultivimin e reçeleve dhe ajvarit.

“Ne kemi 13 produkte që punojmë tash e tetë vjet me të njëjtat produkte, me të gjitha llojet e turshive, bëjmë fletë sarma, reçel me kumbulla, mollë dhe limon të freskët, por vitet e ardhme mendojmë të shtojmë produktet. Fillimisht i marrin nga fermerët, i pastrojmë, i klasifikojmë, pastaj i fusim nëpër maune për pesë ditë ose gjashtë. Pastaj i shohim se a janë të gjithë të klasës së parë dhe i fusim nëpër kavanoza. Rreth punës tonë ka rritje të tregut, ka kërkesa mjaftë të larta. Sivjet fermerët kanë marrë ulje të rendimente për shkak të kohës, vera ka qenë më e vonshme”, pohon Ajeti.

Po ashtu, udhëheqësja e kësaj kompanie thotë se rritja e çmimeve të produkteve të kësaj kompanie varet krejt nga rritja e çmimet të lëndës së parë. Nëse ka rritje të çmimit tek lënda e parë, ajo thotë se detyrohen edhe ata si kompani t’i rrisin çmimet e produkteve.
“Është një punë e rëndë se nëse thua se do t’i ngrit çmimet duke parë kushtet që kemi dhe Kosova sa çfarë vendi është. Por nëse neve na u rritet edhe neve çmim i produkteve te fermerëve, e qelqit dhe i sheqeri edhe ne nuk kemi qare pa i rritur çmimin. Produkte të cilat shkojnë më shumë janë feferonët që përdorën gjatë tërë vitit por shkojnë edhe turshitë e tjera sepse e kemi traditë dhe deri në mars e përdorin shumë”, përfundoi Ajeti.

Ndryshe, perimet turshitë janë të pasura me laktobacile, enzima, vitamina, minerale dhe kështu është ushqim mjaftë i shëndetshëm për trupin e njeriut./Arbresh.info/ Diellza Gashi/

Të ngjashme