Në lagjen Dardania të Gjilanit sot ka nisur puna për ndërtimin e parkut, ku parashihet të ketë një amfiteatër, fushë të futbollit, terrene sportive për basketboll dhe volejboll, fontanë dhe sistem të ujitjes.
Gjithashtu, do të bëhet ndriçimi publik, ndërtimi i trotuareve dhe këndit të lojërave për fëmijë, krijimi i zonave të gjelbra, instalimi i ulëseve për pushim, shporta të mbeturinave, si dhe elemente të tjera rekreative dhe sportive, njoftoi shërbimi komunal i informimit.
Projekti realizohet përmes programit “Kosova e Bukur II”, financuar nga Komisioni Evropian dhe Komuna e Gjilanit, të implementuar nga IOM – i, që pos parkut që do të ndërtohet, janë krijuar 92 vende të reja të punës, duke përfshirë 65 persona të angazhuar përmes Qendrës për Punësim në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me drejtorin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Kristof Shtok, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtorët i prokurimit, në mënyrë simbolike kanë vënë gurthemelin e këtij projekti.
Me këtë rast Haziri, ka thënë se së bashku me partnerin e Gjilanit – Komisionin Evropian, përmes programit “Kosova e Bukur”, “sot po bëhet një projekt që do ta ndryshoj përgjithmonë këtë lagje, duke i kthyer gjallërinë, atraktivitetin, sportin dhe si projekt po mundëson punësim të një numri shumë të madh të qytetarëve”.
Haziri ka kërkua mbështetje prej Qeverisë së Kosovës dhe drejtorit Kristof Shtok, që të krijohen mundësi për konkurrim përmes programit “Kosova e Bukur III”, sepse, siç është shprehur, këto programe mundësojnë realizim të projekteve, por në të njëjtën kohë punësojnë për periudhë sezonale shumë njerëz.
Nga ana e tij Kristof Shtok, drejtor i Unionit Evropian në Kosovë, ka thënë se është një kënaqësi e madhe që në këtë vend po ndërtohet një park rekreativ dhe sportiv.
“Programi ’Kosova e Bukur’ ka një komponentë shumë të mirë që është punësimi, e që na gëzon të gjithëve. Shumica e punëtorëve këtu janë njerëz që kanë pritur kohë të gjatë për një vend të punës, por shpresoj që në të ardhmen të gjeni punë më lehtë, sepse ‘Kosova e Bukur’, është program që ndodh shumë shpesh”, tha Shtok.
Ndryshe, nga ky projekt që do të kushtoj rreth 240 mijë euro, do të përfitojnë 75 mijë banorë të Komunës së Gjilanit, të cilët mund të jenë pjesë e përditshme e këtij mjedisi rekreativ në një të ardhme të afërt.
Aksidenti me autobus lë 15 të vdekur në Guatemalë
Kosova voton nesër, rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vo...
Osmani nderon ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowas, të rënë ...
Parashikimi i motit për nesër, temperaturat shkojnë deri në ...
Aston Villa përmbys Chelsea
Aksident në aksin Qafë Plloçë – Pogradec, makina përplas një...