Nis greva e punëtorëve të Spitalit të Gjilanit

19:55 | 31 Mars 2016
M. A.

Punëtorët teknik të Spitalit Regjional të Gjilanit kanë filluar sot grevën për plotësimin e kërkesave të tyre. Në grevë kanë hyrë të gjithë 65 punëtorët e spitalit, të cilët po kërkojnë rritjen e pagave, zbatimin e Ligjit të Punës dhe Marrëveshjes Kolektive, si dhe pagimin e trustit pensional.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, për KosovaPress tha se punëtorëve të Spitalit Regjional të Gjilanit, në 3 vitet e fundit, trusti i është pagur për vetëm 7 muaj.

Sipas tij, nga pensionet e punëtorëve u vodhën 150 mijë euro. Dhe, për këtë ai e fajësoi drejtorinë e spitalit.

“Kompania e vetme nuk do të mund ta bënte këtë, prandaj ne mendojmë që kanë ndihmë nga brenda spitalit”, ka thënë Azemi.

Punëtorët që sot kanë nisur grevën e urisë kanë pagë prej 310 eurove. Ata kanë paralajmëruar se greva do te vazhdojë deri ne plotësimin e kërkesave të tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale