Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka rikujtuar se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton qartë rregullat që duhet të respektohen gjatë kësaj periudhe.
“Fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme dhe demokratike, pa gjuhë urrejtjeje apo frikësime, dhe e distancuar plotësisht nga çdo formë dhune,” ka deklaruar Elezi, duke shtuar se ndalohet çdo formë pengimi i fushatës së kundërshtarit politik, si dhe çdo veprim që përmban kërcënime apo dhunë.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se, sipas ligjit në fuqi, trajtimi i ankesave për shkelje gjatë fushatës nuk është kompetencë e KQZ-së, por i takon Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Sipas ligjit, KQZ nuk i trajton ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, KQZ ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese”, ka sqaruar Elezi për RTKlive.
Ai ka theksuar se, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të angazhohen monitorues në komuna të ndryshme të Kosovës. Këta monitorues do të përgatisin raporte të detajuara për aktivitetet e subjekteve politike gjatë fushatës.
“Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës, të cilin e dorëzojnë subjektet politike”, ka theksuar Elezi.
Ky angazhim ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies gjatë procesit zgjedhor, si dhe sigurimin e respektimit të plotë të kornizës ligjore nga ana e subjekteve politike.
Në garën lokale janë të përfshira 93 subjekte politike, prej të cilave 33 janë parti, dy koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, ndërsa procesi do të organizohet në 938 qendra votimi në 38 komuna.
Nga një muaj paraburgim ish-ministrit dhe gjashtë të tjerëve...
Mbi 3 orë pritjet në Merdarë për të hyrë në Kosovë
Alis triumfon në Fest 64, “Nan” do të përfaqësojë Shqipërinë...
Haradinaj sot mban tubim në Istog dhe Pejë
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Moti sot i vranët dhe me intervale me diell