Nga 15 qershori, planifikohet të vaksinohen 500 mijë qytetarë në muaj

08:10 | 9 Qershor 2021 | Ardita Zeka

Nga 15 qershori Ministria e Shëndetësisë planifikon të vaksinoj 500 mijë qytetarë për muaj në të gjithë territorin e Kosovës, varësisht nga dozat e vaksinave që janë në dispozicion.

Kështu kanë thënë në një përgjigje për arbresh.info nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tyre ky proces ka për synim rikthimin në normalitet.

“Qëllimi i hartimit të planit të veprimit për vaksinimi të qytetarëve ne masë me vaksinën kundër COVID-19 është sigurimi i mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit në masë përmes definimit te aktiviteteve të detajizuara, ku parashihet vaksinimi i deri në 500.000 qytetarëve për muaj në tërë territorin e vendit. Procesi i vaksinimit në masë do të ndikoj në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit dhe kontrollin e pandemisë si dhe funksionalizimin e aktiviteteve shoqërore, që për synim ka rikthimin në normalitet”.

Për ta ndihmuar këtë proces të vaksinimit në masë, janë përcaktuar gjithsej 279 ekipe për të gjitha komunat e Kosovës.

“Kapacitetet njerëzore me fillimin e vaksinimit kane qenë gjithsej 89 ekipe (89 mjek dhe 178 infermierë). Ekipet janë mbështetur nga vullnetarët e Kryqit të Kuq të Kosovës dhe UNICEF. Me fillimin e vaksinimit në masë, janë përcaktuar gjithsej 279 ekipe për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës”.

Gjithashtu, sipas kësaj ministrie do të ketë angazhim shtesë të mjekëve, infermierëve dhe nga profilet e Teknologjisë Informative për ta ndihmuar procesin e vaksinimit ne masë.

“Sa i përket angazhimit të stafit mjekësor, është planifikuar angazhimi i 190 specializanteve dhe rekrutimi i 422 infermierëve për mbështetje të procesit të vaksinimit kundër COVID-19. Përpilimi i planit për angazhimin e specializantëve do të bëhet në bazë të regjioneve varësisht prej ekipeve shtesë qe janë paraparë në komuna përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë synon që deri në fund të vitit, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë, por aktualisht në Kosovë janë duke u përdorur vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Por, ende nuk dihet kur do të fillojë ardhja e vaksinave kundër Coronavirusit, blerë nga Pfizeri, kompani kjo me të cilën Qeveria e Kosovës arriti marrëveshje për 1.2 milion doza të vaksinës, të cilat pritet të vijnë në Kosovë deri në fund të këtij viti.

Aktualisht, në vendin tonë po vaksinohen personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.

Për aplikim për vaksinimin kundër koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion për qytetarët ueb-faqen eKosova. /A.Zeka./arbresh.info/

Më poshtë mund të shihni shpenzimet e MSH-së dhe planin e veprimit për vaksinim të qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19:

Lajmet më të lexuara