Nëse Nisma e kalon pragun, PSD mbetet pa asnjë deputet në Kuvend

18:37 | 11 Nëntor 2019

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë ditës së sotme ka marrë vendim që të anulojë 3 mijë e 100 votat e ardhura me postë nga Serbia.

Pas anulimit të këtyre votave pritet që koalicion Nisma-AKR-PD përfundimisht të kalojë pragun zgjedhor.

Futja e Nismës në Kuvend do t’ia prishte matematikat Parisë Socialdemokrate, kjo për faktin se kjo parti përfundimisht do të mbetet pa përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.

PSD-ja e cila pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje kishte 12 deputetë në Kuvendin e Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit mund të mbetet pa asnjë deputet.

Partia e Shpend Ahmetit bëri koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me 25 emra në listën e përbashkët.

Mirëpo nga të gjithë, vetëm Natyra Kuçi, bazuar në kuotën gjinore, arriti që të kalojë pragun për t’u bërë deputete, sipas rezultateve nga Komisioni Qendror  Zgjedhor.

Ndërkohë me anulimin e votave nga Serbia, Nisma pritet që të kalojë pragun, i bie që Kuçi të humbë ulësen në Kuvend./express

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara