Aktakuza ndaj 5 prishtinasve të dyshuar për prodhimin e kartelave të falsifikuara bankare, dhe vjedhjen e parave nëpër disa xhirollogari, ka arritur parashkrimin absolut në fundin e tetorit të këtij viti, pas më shumë se tre vite që kur ajo është ngritur nga Prokuroria e EULEX’it. Deri te kjo ka çuar zvarritja e procesit gjyqësorë ndaj të akuzuarve nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të cilët përkundër se patën në duart e tyre aktakuzën qysh në Qershor të 2013, se shqyrtuan atë sipas afateve kohore të ndjekjes penale. Vonesa kishte edhe në ngritjen e aktakuzës.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka pushuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e EULEX’it, tre vite më parë, ndaj pesë të akuzuarve L.B, B.B, B.G, A.A dhe F.A.. Grupi prej 5 të akuzuarve, sipas aktakuzës së ngritur me 6 Qershor 2013, dyshoheshin se si falsifikator dhe prodhues të kartelave bankare të rreme, kishin arritur të futeshin nëpër xhirollogari të ndryshme me anë të të cilave kryenin disa blerje në disa markete dhe pompa derivatesh të ndryshme, nëpër vend.
Sipas vendimit të muajit të kaluar të Gjykatës Themelore të Prishtinës, rasti i konkretizuar me aktakuzë nga EULEX’i, ka arritur “parashkrimin absolut” të ndjekjes penale.
Kjo pasi një Prokuror ndërkombëtarë i Misionit Europian për Drejtësi dhe Sundim të Ligjit – EULEX, dhe një vendor, i Shtetit, gjashtë ditë para se të ngitnin aktakuzën, kishin kaluar afatet ligjore të parashkrimit relativ të lendes. Ndërsa, për më tepër, edhe mos shqyrtimi i rastit nga Gjykata, kishte çuar në parashkrimin absolut të ndjekjes penale ndaj të akuzuarve. Përkundër mbajtjes së disa seancave gjyqësore ndaj grupit. Kjo, saktësisht, sipas vendimit të gjyqtarit Agim Kuçi kishte ndodhur me 01 Gusht të këtij viti.
Gjykata Themelore e Prishtinës nuk e kanë komentuar sesi për neglizhencë të gjyqtarëve të saj ka quar në parashkrimin absolut të kësaj lende. Zëdhënia e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi dy herë i ka nisur Gazetes Express aktgjykimin e plotë për pushim të lendes penale, por pa dhënë përgjigje konkrete në pyetjet që asaj iu janë nisur me e-mail.
“Ju njoftojmë se lidhur me këtë çështje gjyqtari i çështjes arsyetimin e ka dhënë në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.923 – 14 të cilin e gjeni në web-portalin e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, është përgjigjur zëdhënësja Gashi.
“Sipas dispozitave të nenit 3 (zbatimi i ligjit më të favorshëm) dhe 106, par.1, pika 1.5 të KPK’së, vepra penale e cila është e dënueshme me më shumë se 1 (një) vit, parashkruhet kur kanë kaluar 3 (tre) vite nga data e kryerjes së veprës penale (parashkrimi relativ), kurse sipas dispozitave të nenit 107, par. 8 të KPK’së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës, të datës 21 tetor 2016.
“Në rastin konkret kanë kaluar më shumë se 6 (gjashtë) vite nga koha e kryerjes së veprave penale, ngase veprat janë kryer gjatë muajit gusht 2010”, arsyeton tutje aktvendimin Gjykata në aktvendimin për pushimin e ndjekjes penale ndaj 5 të akuzuarve.
Gazeta Express, të martën ka provuar të marrë koment nga EULEX’it në lidhje me hudhjen e kësaj aktakuze që e kishte ngritur prokurori i tyre, bashkë me një prokuror tjetër vendor, por as nga zyra për informim e këtij misioni nuk janë përgjigjur ende në pyetjet e gazetës.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i të akuzuarit A.A., Nikë Shala, sqaroi për Gazetën Express sesi ka ardhur deri tek parashkrimi i lendes ndaj klientit të tij dhe personave tjerë të akuzuar në të njëjtin rast.
“Sipas nenit 106 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, parashkrimi i ndjekjes penale konsiston ne atë se për shkak të kalimit të afatit i cili është paraparë me ligj, nuk mund të ndërmerret ndjekja penale, dhe personit nuk mund ti shqiptohet dënim për veprën penale që ka kryer. Në çdo fazë të procedurës penale, gjykata dhe organet tjera të ndjekjes penale dhe organet e ekzekutimit të sanksioneve penale, janë të detyruar që sipas detyrës zyrtare të kenë kujdes dhe të zbatojnë parashkrimin”, tha avokati Shala, për Gazetën Express.
Tutje, Shala që beson në pafajësinë e klientit të tij, thotë se zvarritjet e gjata dhe të pa arsyeshme të procedurave nëpër gjykata, kanë çuar deri në parashkrimin e ndjekjes penale dhe ka pamundësuar që klienti i tij të marrë aktgjykimin final, për të cilin ai beson se ka qenë i pafajshëm.
“Si mbrojtës i A.A, deklaroi se klienti im që nga inicimi i procedurës penale ndaj tij, në të gjitha fazat e procedurës i ka mohuar veprat penale për të cilat janë zhvilluar hetimet dhe ngritë aktakuza, duke ofruar prova të mjaftueshme për ta argumentuar pafajësinë e tij dhe gjithmonë ka shprehë gatishmëri që të ballafaqohet me drejtësinë siç veprohet në çdo shtet demokratik ku sundon ligji, mirëpo në rastin konkret Prokuroria dhe Gjykata kanë bërë zvarritje të gjatë dhe të paarsyeshme të procedurës dhe si pasoj e kësaj ka ardhur gjer tek parashkrimi i ndjekjes penale”, potencon avokati Nikë Shala.Ndryshe, Prokuroria e EULEX’it kishte evidentuar tre vepra penale gjatë hetimeve që kishte kryer ndaj këtij grupi. EULEX në aktakuzë, L.B, B.B, B.G, A.A dhe F.A.. i ngarkonte me veprat penale “Lëshimi i cëqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo kreditit”, “Vjedhja” dhe “Mashtrimi”. Të gjitha në bashkëkryerje.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit gjatë tetori të vitit 2008 deri në gusht të 2010’ës, në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës, bashkërisht, kishin prodhuar kartela të rreme bankare, të cilat më vonë, sipas gjetjeve të prokurorisë, i kishin përdorur ose ua kishin dhënë personave tjerë të blinin mallra në disa markete dhe pompa karburantesh në Kosovë.
Vedat Muriqi më i miri në Evropë për gola me kokë, barazon n...
Stuhia godet Portugalinë, shkon në 16 numri i viktimave
Konferenca e sigurisë në Mynih nxori në pah dallimet SHBA-Ev...
Nga Trump dhe Starmer, te Bill Gates dhe Kim Kardashian, Pro...
Zemra e njeriut mund të rigjenerojë qelizat e veta muskulore...
Napoli dhe Roma ndajnë pikët në derbin e javës në Serie A