Në Kosovë nuk respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve

18:01 | 11 Qershor 2016
Arbresh.info
Përdorimi i gjuhëve zyrtare në territorin e Kosovës sjell dobi të mëdha në të gjitha sferat e jetës, veçanërisht në atë ekonomike dhe sociale, por në Kosovë Ligji për përdorimin e gjuhëve pak gjen zbatim.
 Në sallonin e së martës, i organizuar nga D4D, është diskutuar për të drejtat e qytetarëve sa i përket përdorimit të gjuhëve zyrtare në Kosovë dhe u tha se BE-ja ka fokusin tek përfitimet që ka një shoqëri nëse arrin që suksesshëm të respektojë të drejtën për përdorimin e gjuhëve zyrtare, raporton lajmi.net

Gjuha shqipe dhe serbe kanë status të barabartë si gjuhë zyrtare si dhe të drejta të barabarta sa i përket përdorimit të tyre në të gjitha institucionet e Kosovës, ndërsa Ligji për përdorimin e gjuhëve, që ka për qëllim ruajtjen e karakterit shumë gjuhësor të shoqërisë kosovare dhe paraqet vlerat e saj unike shpirtërore, intelektuale, historike si dhe vlerat kulturore, për më tepër përfaqëson të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë që të ruajnë, mirëmbajnë dhe promovojnë identitetin e tyre gjuhësor.

Remzije Istrefi, Prof.dr. i të Drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Fakulteti Juridik të Universitetit të Prishtinës thotë se përdorimi i gjuhëve është ndër çështjet më debatuese në të gjitha vendet e botës aktualisht.

“Përdorimi i gjuhëve është e drejtë njerëzore, eksitojnë një mori dokumentesh ndërkombëtare, deklarata, korniza e të tjera, prapë se prapë në aspektin ligjore kjo e drejtë nuk është jashtëzakonisht mirë e stabilizuar, sepse më tepër BE i ka dhënë lirinë dhe drejtën vendeve nacionale që ta rregulloj këtë çështje, sepse kjo drejtë nuk është e drejtë absolute”, ka thënë ajo, raporton lajmi.net

Ajo thotë se BE ka fokusin tek përfitimet që ka një shoqëri nëse arrin që suksesshëm të respektojë të drejtën për përdorimin e gjuhëve zyrtare.

Istrefi thotë se Ligji për të drejtat gjuhësore është jashtëzakonisht i kushtueshëm, ka pastaj mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe se sipas saj, përdorimi i gjuhëve për Kosovën është shumë i rëndësishëm për shkak se kanë filluar aktivitetet që sjell ballafaqimin me të kaluarën.

“Dobitë e shoqërisë në përdorimin e gjuhëve që fliten në territorin e Kosovës janë të jashtëzakonshme në të gjitha aspektet, ekonomike, sociale dhe të tjera. Por, sfidat mbesin të larta për institucionet e vendit por edhe për qytetarët”, ka thënë ajo.

Ndërsa Slavisa Mladenovic, Komisioner për gjuhët thotë se është folur vazhdimisht se ligji për gjuhët është i standardeve më të larta ndërkombëtare, megjithatë, sipas tij,  dispozitat e këtij ligji nuk janë zbatuar plotësisht në Kosovë.

“Siç e dini, me ligjin për gjuhet parashihet që në Kosovë komunitet zyrtare dhe dokumentet të jenë në gjuhën shqipe dhe atë serbe, derisa gjuhet tjera mund të bëhen zyrtare me vendim të caktuar në komuna të caktuara”, ka thënë ai.

Duke bërë me dije se Zyra e Komisionit për gjuhët pranë kryeministrit, është themeluar pasi që Ligj për përdorimin e gjuhëve nuk është implementuar në masë të kënaqshme, Mladenovic ka thënë se problemet me impelemtimin e ligjit janë evidente.

“Mjafton që të dilni në rrugë, pastaj të shiheni dokumente zyrtare, t’i shikon ueb faqet e ministrive apo institucioneve tjera”, tha ai, raporton lajmi.net

E Robin Budd, Sekretari i dytë politik në Ambasadën Britanike në Prishtinë thotë se të drejtat e minoriteteve në përdorimin e gjuhëve duhet të mbrohen.

Ai vlerëson se të drejtat e minoriteteve respektohen duke ua respektuar edhe gjuhën.

“Është me rëndësi që njerëzit të komunikojnë me njëri tjetrin dhe t’i mësojnë e dëgjojnë gjuhët e njëri tjetrit. Kur ka 99.9 % të kosovarëve që flasin shqip atëherë është esenciale respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të minoriteteve”, thotë Robin Budd.

Ndryshe, Zyra e Komisionerit për gjuhët ka për detyrë të siguroj që të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet publike të respektojnë Ligjin mbi Përdorimin e Gjuhëve dhe vë në pah ndërgjegjësimin publik dhe institucional lidhur me të drejtat gjuhësore që të mbështesë zbatimin efektiv të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Si dhe krijon dhe zhvillon politikat gjuhësore, promovon dhe ruan gjuhët e komuniteteve të tjera.

Ndërsa, e drejt e secilit individ është të komunikon dhe pranon shërbimet në dispozicion dhe dokumentet publike nga institucionet qendrore dhe komunale, si dhe nga ndërmarrjet publike në cilëndo gjuhë zyrtare.

Shpërndaje në rrjete sociale