Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, më 27 shkurt nis një proces i ri gjyqësor, për si thuhet, “pengim të drejtësisë”. Rasti zhvillohet paralelisht me gjykimin për krime të pretenduara lufte, por në aspektin procedural trajtohet si çështje e veçantë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vetëm pak ditë pasi dha fjalën e tij përfundimtare, do të përballet me një tjetër proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Pas qindra seancave ku Thaçi gjykohet së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime të pretenduara lufte, tashmë ai do ta nisë përballjen me dëshmitarët në një çështje të re, atë për pengim të drejtësisë.
Në këtë rast, përveç tij, të akuzuar janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, më 27 shkurt do të mbahet seanca e parë me deklaratat hyrëse. Fillimisht fjalën do ta marrë Prokuroria e Specializuar, ndërsa më pas deklaratat hyrëse do t’i paraqesin mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Fazliut.
Pas kësaj, Prokuroria pritet ta thërrasë dëshmitarin e parë nga tre gjithsej, të cilët do të merren në pyetje gjatë javës së ardhshme. Për këtë proces janë planifikuar gjashtë seanca gjyqësore, nga 27 shkurti deri më 6 mars.
Avokati i akredituar pranë Speciales, Artan Qerkini, vlerëson se ndonëse aktakuza për pengim të drejtësisë është ngritur në lidhje me rastin për krime lufte, në aspektin procedural bëhet fjalë për dy procese të ndara.
Sipas tij, kjo reflektohet edhe në vendimet për paraburgim, të cilat shqyrtohen veçmas për secilin rast, pasi elementet e veprave penale ndryshojnë.
“Këto aktakuza në atë kuptimin material janë të ndërlidhura sepse aktakuzë për pengim të drejtësi janë ngritur në lidhje me rastin për krime lufte, mirëpo në aspektin formal procedural këto janë dy procedura të ndara, kështu që besoj e keni vërejt se dhe paraburgimi kur të vazhdohet, i vazhdohet për dy procedurat ndaras, ngase elementet e figurave të veprave penale nuk janë të njëjta, kështu që në aspektin procedural këto dy çështje konsiderohen si çështje të ndara”, thotë Qerkini.
Ndërkohë, përveç Thaçit që ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, të akuzuarit e tjerë në rastin për pengim të drejtësisë janë liruar me kusht dhe aktualisht ndodhen në Kosovë./rtk
Hamza: Asnjë emër për presidentin në takim me Kurtin, diskut...
Dyshja shqiptare që luajnë në Kosovë, ftohen nga Maqedonia e...
Stuhi e fuqishme bore paralizon verilindjen e SHBA-së
Raportohet se gjiganti anglez i ka kërkuar Vinit të mos rino...
Pasiguri tek Arsenal – largime të mëdha priten në verë
Biznesi me energji elektrike i bashkëshortes, Abdixhiku: Pre...