Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Gjakovë ndihmohen me 80 mijë euro

18:03 | 18 Shkurt 2016
M. A.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës së bashku me përfaqësues të organizatës gjermane “ Help” kanë nëshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të sektorit privat, me pajisje që arrijnë vlerën 80 mijë euro

Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, tha se ky program do të zgjasë dy vjet, për të ndihmuar përmirësimin e gjendjes sociale dhe ekonomike në Komunën e Gjakovës.

Ajo gjithashtu shtoi se ky program është në përputhje të plotë me planet e Kuvendit Komunal të Gjakovës, duke theksuar se kjo komunë ka participuar me 16 mijë euro, për këtë program.

 

“Ky program dhe kjo organizatë është në përputhshmëri të plotë edhe me planet e Kuvendit Komunal të Gjakovës për forcim të sektorit privat, për forcim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në veçanti për ndihmë me pajisje, gjegjësisht ndihmën financiare për pajisje të re, të cilat bizneseve të vogla iu duhen ose janë aq të domosdoshme . Vlera e fondit me të cilin kemi nënshkruar, nga organizata është 80 mijë euro, ndërsa participimi i komunës është 20 për qind e kësaj vlere apo 16 mijë euro. Ky fond është miratuar edhe në Asamblenë Komunale, nga pjesa e subvencioneve të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik”, tha Kusari – Lila.

Kusari – Lila, bëri të ditur se tani asistenca financiare për bizneset për Komunën e Gjakovës, nga 90 mijë euro që ishte në vitin e kaluar, bashkë me ndihmën e organizatës “ Help”, arrin shumën 170 mijë euro.

Ndërsa, përfaqësuesja e organizatës gjermane “Help”, Shqipe Breznica tha se nga kjo marrëveshje që hynë në fuqi që nga sot, do të përfitojnë 40 qytetarë të Gjakovës.

“ Është përkrahje fuqizimi socio-ekonomik përmes fuqizimit të mikro-biznese ve në Kosovë. Komuna e Gjakovës fillojmë prej sot, me qenë se prej sot nënshkruhet marrëveshje dhe prej sot hynë në fuqi, prej javës tjetër veç jemi me seanca informuese në Komunën e Gjakovës, ku 40 qytetarë nga kjo komunë mund të fitojnë grande në shumë prej 2 mijë euro, ne formë të pajisjeve dhe jo para të gatshme”, tha Breznica.

Ajo shtoi se financimi nga ana e klientëve apo përfituesve është 15 përqind, ku përveç grantit, pajisjeve që ata marrin nga organizata “Help”, gjithashtu do të marrin edhe trajnime në bazë të kërkesave të tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale