NATO përforcon kufijtë lindorë ndërsa tensionet në Ukrainë rriten, reagon Rusia

16:00 | 24 Janar 2022

NATO po forcon kufijtë e saj lindorë me forca tokësore, detare dhe ajrore, ka thënë sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake, pasi një pushtim rus i Ukrainës dukej gjithnjë e më i mundshëm.

Jens Stoltenberg tha se “gjendja e përkeqësuar e sigurisë” i kishte çuar aleatët e NATO-s në gatishmëri fregate, avionë luftarakë dhe trupa për “mbrojtjen e tyre kolektive”, shkruan “The Guardian”

Administrata amerikane ishte gjithashtu e gatshme të rriste praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore, paralajmëroi shefi i NATO-s, një ish-kryeministër i Norvegjisë.

“Unë mirëpres aleatët që kontribuojnë me forca shtesë në NATO”, tha Stoltenberg. “NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe forcimin e pjesës lindore të aleancës. Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”.

Dhe njoftimi u vlerësua si “histeri” perëndimore nga Kremlini.

“Ne shohim deklarata të Aleancës së Atlantikut të Veriut për përforcimin, tërheqjen e forcave dhe burimeve në krahun lindor. E gjithë kjo çon në faktin se tensionet po rriten”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Kjo nuk po ndodh për shkak të asaj që ne, Rusia, po bëjmë. E gjithë kjo po ndodh për shkak të asaj që NATO dhe SHBA po bëjnë dhe për shkak të informacionit që po përhapin”.

Zhvillime të tilla vijnë pasi Shtëpia e Bardhë dhe Downing Street thanë se kishin filluar të tërhiqnin familjet e diplomatëve nga Ukraina dhe ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën për të diskutuar krizën në përshkallëzim me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Blinken do t’i informojë ministrat përmes një lidhje me video mbi bisedimet e tij javën e kaluar me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara