“Natali Veliajt po i shkelen të gjitha të drejtat “

10:16 | 21 Tetor 2017

Natali Veliajt nuk po i refuzohet vetëm lirimi me  kusht. Sipas mbrojtësit të saj, avokatit Ramë Dreshaj, Shërbimi Korrektues i Kosovës, konkretisht Qendra e Paraburgimit në Lipjan po ia mohon asaj të drejtën e shfrytëzimit të pushimit në fundjavë.

Sipas avokatit Ramë  Dreshaj arsyeja e refuzimit të pushimit të saj në vikend është absurde.

“Ja kemi prezantuar drejtorisë së Shërbimit Korrektues të Kosovës  me vërtetim të noteri se Velija ka të dashurin e saj në Kosovës, por si duket ata duan fotografi në momente intime që të besojnë se ata dy janë bashke. Ata vazhdimisht ia refuzojnë pushimin me pretendimet se ajo nuk e ka familjen në Kosovë.

Ndryshe, Velija, e cila vuan dënimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ishte arrestuar në nëntor të vitit 2012 nga policia e Eulex-it,  pasi dyshohej se si pronare e  firmës “Consulting EU Sh.p ,kishte  përvetësuar rreth 1, 4 milion euro, mjete këto që do të duhej  t’ia transferonte ndërmarrjes austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD), e cila kishte prodhuar pasaportat e Kosovës.

Që nga ajo kohë, e deri tash janë bërë  më shumë se katër vjet nga qëndrimi i saj prapa grilave.

Në dhjetor të vitit 2014,  pas një procesi gjyqësor,  Velija dënohet nga Gjykata Themelore e Prishtinës me  12 vjet burgim, dënim ky i cili u zbrit nga Gjykata e Apelit në 8 vjet burgim dhe gjobë prej 25mijë eurove.

Ajo akuzohej nga një  prokuror i Eulex-it në kuadër të  Prokurorisë Themelore të Prishtinës për nëntë vepra penale, përfshi krimin e organizuar, pastrimin e parave, vjedhjen e rëndë, mashtrimin, shmangien nga tatimi, shpërdorimin, keqpërdorimin e besimit, falsifikimin dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Përveç saj,  në këtë rast ishte dënuar edhe bashkëpunëtori i ngushtë e Veliajt,  Fisnik Blakaj, i cili nga 11 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, ky dënim i ishte zbritur në 6 vjet nga Apeli dhe  gjobë prej 25 mijë eurove.

Dënimit nuk u kishin shpëtuar as vëllai i Fisnikut, Betim Blakaj, i cili ishte dënuar më 1 vit burgim dhe 3.000 euro gjobë, Ergyn Dogani me 5 vjet burim dhe 15 mijë euro; Imer Fazlia me 2 vjet burgim dhe gjobë prej 8.000 eurosh, kurse Nazmi Thaçi me 1 vit burgim dhe 5.000 euro gjobë.

Ndërkaq, Jakup Blakçori dhe Sefedin Shala ishin shfajësuar nga veprat penale, të cilat rëndonin mbi ta. /Arbresh.info/ Gita Lushi

Deklaratën e plotë rreth kësaj çështje mund ta dëgjoni nga minua   4:40

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara