Mustafa: Numri i kosovarëve që luftojnë krah ISIS-it ka rënë dukshëm

18:03 | 2 Shkurt 2016
M. A.

Hapjen e Konferencës së tretë ndërkombëtare “Germia Hill” e bëri kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili tha se Kosova është e rreshtuar së bashku me shtetet perëndimore në luftën kundër terrorizmit dhe se po e mbron edhe Parisin e Londrën, transmeton arbresh.info.

IMG_0368

“Ne vlerësojmë lart përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera përkrahëse. Kosova është një front evropian i luftës kundër terrorizmit që zhvillohet jo vetëm në Prishtinë, nga këtu mbrohet edhe Parisi dhe Londra, sepse ne e përjetojmë çdo tragjedi që u ndodh vendeve evropiane”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri bëri me dije se numri i kosovarëve që luftojnë krah grupeve xhihadiste në Siri dhe Irak ka rënë dukshëm krahasuar me vitet e kaluara.

“Sipas shërbimeve të Kosovës, numri i kosovarëve pjesëmarrës në luftërat e Sirisë dhe Irakut, ka rënë nën 70. Janë arrestuar shumë persona të lidhur me grupet terroriste dhe janë mbyllur shumë OJQ që dyshohej se përdoreshin për këto aktivitete”, u shpreh Mustafa.

Kreu i qeverisë gjatë fjalimit të tij nuk la pa përmendur edhe faktin se kosovarët kanë mbetur të izoluar, si rezultat i mos-liberalizimit të vizave nga Bashkimi Europian.

Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i  cili në fjalën e tij tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të normalizohet, por Brukseli zyrtar nuk duhet të vonojë proceset, sepse në të kundërtën mund të shkaktohen kriza.

“Disa gjëra që mund t’i arrijmë për 3-4 muaj, nuk kanë pse të vonohen për disa vite. Rajoni jonë do të normalizohet, por çdo vonesë e Brukselit do të shkaktojë kriza”, ka thënë Thaçi.

“Ne do të përgatitemi shumë mirë edhe për takimet e radhës, të Berlinit, të Vjenës”, ka pohuar Thaçi, duke paralajmëruar se “do të fillojnë proceset e rëndësishme infrastrukturore sidomos në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Nish”, tha zv/kryeminsitri Thaçi.

Në këtë konferencë ndërkombëtare po marrin pjesë afro 200 mysafirë nga 40 shtete të ndryshme të botës për të diskutuar rreth temës Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale./Arbresh.info

IMG_0401 IMG_0330

Shpërndaje në rrjete sociale