Mustafa: Lista Serbe s’mund ta pengoj Ligjin për Trepçën

21:27 | 18 Tetor 2016
M. A.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa ka deklaruar në emisionin “Politikë” në Tribuna Channel se sot i është dërguar një letër Gjykatës Kushtetuese në të cilën janë dhënë disa sqarime rreth mënyrës se si është përgatitur Ligji për Trepçën.

Ai ka shpjeguar se në këtë letër janë dhënë faktet se komunitetit serb i është dhënë hapësirë gjatë përgatitjes së ligjit,  njësoj sikur edhe komuniteteve tjera.

“Nuk ka ekzistuar asnjë asimetri dhe asnjë diskrimin për Listën Serbe”, ka thënë Mustafa.

Në letër, sipas tij janë ofruar data se kur janë mbajtur mbledhjet e komisionit, se kush ka qenë pjesëmarrës si dhe kur deputetët e Listës kanë refuzuar pjesëmarrjen në Komision.

Sipas tij, një nga përfaqësuesit e Listës serbe, ka premtuar se do t’i sjell disa amandamente pas leximit të parë të ligjit, mirëpo më pas nuk është dukur. Lista Serbe, sipas tij, në asnjë moment nuk e ka përmendur në lëndën e saj Beogradin.

“Ata nuk mund ta pengojnë Ligjin për Trepçën. Ne jemi të sigurt se Ligji është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Mustafa.

Shpërndaje në rrjete sociale