Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e fabrikës së veshjeve sportive në fshatin Letancë të Komunës së Podujevës.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, dhe përfaqësues të bizneseve e qytetarë.
Mustafa tha se janë veshjet sportive ato të cilat do ta cilësojnë këtë fabrikë, dhe po ashtu është furnizimi i tregut tonë dhe rritja e konkurrencës së brendshme në tregun kosovar por edhe në tregun regjional, për të cilën ai shpreson se do të ndodhë nesër.
“Unë e konsideroj shumë të rëndësishme kyçjen e USAID-it dhe përkrahjen e këtij projekti, duke pas parasysh se Agjencioni Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar ka përkrah shumë projekte zhvillimore në shumë komuna, shumë iniciativa, sidomos të rinjve, grave dhe ndërmarrësve privat. Ka nxit zhvillimin e sektorit privat tek ne, sepse ky sektor duhet ta merr përgjegjësinë dhe barrën e zhvillimit ekonomik”, ka thënë ndër të tjera Mustafa.
Kryeministri theksoi se është me rëndësi të madhe që Kuvendi i Komunës dhe Komuna e Podujevës po merr masa për krijimin e kushteve më të volitshme për investitorët vendorë, sa i përket edhe lirimit nga taksat komunale, por po ashtu, tha ai, “ne në nivelin qendror me Programin Qeveritar jemi përcaktuar që të krijojmë kushte më të mira për bizneset, të ndryshojmë politikat fiskale të cilat do të bëhen më të përshtatshme për zhvillimin e biznesit vendor, të themelojmë Fondin për Zhvillim, i cili do të jetë fond garantues për investitorët fillestarë, po ashtu do të jetë fond i subvencionimit të normave të interesit, sidomos për fushën e bujqësisë dhe fushat tjera në të cilat veçmas të rinjtë dhe gratë dhe investitorët tjerë nuk kanë mundësi që të ofrojnë garancionet e tyre dhe të kthejnë gjithë shumën e kredisë, si dhe për fondet tjera iniciale për përkrahjen e bizneseve”.
Mustafa tha se Qeveria është e interesuar që të ketë një zhvillim me propozim të biznesit të brendshëm, i cili pastaj, siç tha ai, do të ndikojë në rritjen e punësimit dhe rritjen e efekteve ekonomike, “sepse zhvillimi jonë dhe punësimi nuk mund të bëhet jashtë zhvillimit të sektorit privat”.
I pari i ekzekutivit tha se punësimi prej tridhjetë punëtorëve në këtë fabrikë është i rëndësishëm për Podujevën me rrethinë.
“Është e rëndësishme po ashtu përkrahja që keni marrë për punësimin shtesë të mbi njëzet punëtorëve tjerë, dhe ambicia juaj, mesa e lexova sot tek një shënim, që doni të arrini në 200 të punësuar krahas zgjerimit të prodhimtarisë dhe hapjes së reparteve të reja”, shtoi Mustafa.
Në fund, i pari i ekzekutivit premtoi përkrahjen e plotë të Qeverisë për sektorin e biznesit privat, punësimin dhe zhvillimin ekonomik, sepse, siç tha ai, “pa zhvillim ekonomik nuk ka forcim të shtetit tonë, forcim të demokracisë dhe integrime të vërteta evropiane”.
Sulmi kibernetik lë jashtë funksionit shërbimin postar të Fr...
Besa Famgas, kampione vjeshtore në Superligën e Kosovës
Rusia përshkallëzon sulmet ndaj rajonit kyç të Ukrainës, Ode...
Neymar operohet me sukses, synimi i tij i vetëm është pjesëm...
Aksident me vdekje në Tepelenë-Memaliaj, humb jetën 45-vjeça...
Durmishi: Rrugët në brezin kufitar po rrisin sigurinë dhe zh...