Mustafa: Do ta mundim çdo fushatë raciste ndaj Kosovës

15:15 | 9 Nëntor 2015
M. A.

Kryeministri Isa Mustafa, ka shprehur keqardhjen e thellë për mungesën e konsensusit ndërkombëtar për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë duke theksuar se Kosova nuk do të zmbrapset nga agjenda e saj euroatlantike dhe do t’i bindë të gjithë se e meriton të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare.

Shefi i qeverisë kosovare ka theksuar se mungesa e mbështetjes së mjaftueshme për anëtarësimin në UNESCO kësaj radhe, do t’i nxisë institucionet e shtetit të forcojnë zbatimin e parimeve themeltare që janë mbrojtja e kultivimi i vlerave të përbashkëta dhe diversitetit si dhe kontributi për paqen dhe sigurinë.

“Kosova do të vazhdojë të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës, duke çuar përpara respektimin universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, së bashku me liritë themelore të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai.

Mustafa, po ashtu, ka shtuar se këto parime janë fundamentale për një shoqëri demokratike, për çka është orientuar Kosova me një konsensus të plotë shoqëror dhe kulturor.

Ai poashtu ka deklaruar se lobimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është bërë me një punë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera kompetente dhe nuk është e drejtuar ndaj asnjë shteti fqinj dhe as kundër ndonjë bashkësie etnike në Kosovë.

“Fatkeqësisht, orientimi i qartë pro-perëndimor i Kosovës si dhe gatishmëria e saj për të çuar përpara të gjitha agjendat konstruktive, i ka penguar Serbisë, e cila ka ndërmarrë në vazhdimësi, por sidomos gjatë këtij procesi, një fushatë raciste kundër Kosovës. Kjo ka ndikuar tek disa shtete që ndajnë interesa të përbashkëta me aleatët e Serbisë.

“Por, kjo nuk na zmbraps aspak. Sepse ne jemi të vendosur të punojmë pareshtur për ta fuqizuar shtetin e Kosovës dhe për ta afirmuar atë si një projekt të suksesshëm, që u shërben interesave të qytetarëve të saj, pa asnjë dallim dhe që është kontribut i paqes, tolerancës dhe prosperitetit”, ka theksuar Mustafa.

Numri në një i qeverisë kosovare, ka falënderuar të gjithë mbështetësit e Kosovës në procesin e anëtarësimit në UNESCO.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar gjithashtu se institucionet e Kosovës, në ditët në vijim do të vazhdojnë angazhimet e tyre për të çuar përpara agjendën euroatlantike, transmeton Klan Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale