Musliu: Kandidatura e Sami Lushtakut është e pakontestueshme

00:00 | 10 Qershor 2021

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se kandidimi i Sami Lushtakut për kryetar të Skenderajt është i pakontestueshëm, nga qytetarët dhe nga PDK-ja.

Musliu gjithashtu tha se nuk e di saktësisht pse është krijuar një mjegull lidhur me kandidaturën e Lushtakut, por sipas saj, kandidimi i tij është i domosdoshëm.

“Kandidimi i Lushtakut është i pakontestueshëm, nga qytetarët dhe PDK’ja”, është shprehur Musliu.

“Unë vetë s’e kam të qartë pse është krijuar një mjegull për kandidaturën e Lushtaku. Por, kthimi i Lushtakut si kandidat komune është i domosdoshëm”, ka thënë Musliu në T7.

E për Drenasin, Musliu ftoi strukturat e PDK-së në degë t’i respektojnë vendimet e hierarkisë në parti.

“Në Drenas po ndodh debat. Këto që po diskutohen në Drenas, duhej të diskutoheshin brenda. Ka munguar gatishmëria dhe vullneti që të diskutohen brenda këto probleme. Ne e mirëpresim debatin”

“Por, ftojmë që strukturat t’i respektojnë veprimet e organeve të PDK-së. Organet e partisë janë Këshilli i Përgjithshëm, pastaj Kryesia dhe degët. Dihet që fjalën e fundit e thotë kryesia”, thotë Musliu.

Tutje, Musliu tha se PDK-ja do të mbajë një konventë për zgjedhje të brendshme, megjithatë nuk dha ndonjë datë as të përafërt.

“Nuk mund të japë datë as ditë kur do të mbahet konventa e PDK-së, për shkak të punëve që kemi për zgjedhje lokale. Është e domosdoshme dhe i duhet PDK-së, është e patjetërsueshme”, shtoi Musliu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara