Musliu: Arsenijeviq u shpërblye nga Radoiçiqi me banesë në Serbi për përpjekjet destabilizuese në Kosovë

22:24 | 21 Korrik 2025
E.H

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka publikuar detaje të reja rreth figurës së Aleksandar Arsenijeviqit, të cilin e quan “opozitar të rremë” të Listës Serbe, duke zbuluar lidhjet e tij të fshehta me strukturat ilegale të Beogradit në Kosovë.

Sipas Musliut, Arsenijeviqi është shpërblyer me një banesë në qytetin Vrnjaçka Banja të Serbisë, dhuratë kjo nga Millan Radoiçiq, si “shpërblim” për shërbimet që ka kryer në funksion të destabilizimit të veriut të Kosovës.

“Arsenijeviqi, i njohur ndër vite si aktivist i shoqërisë civile, në prapaskenë ka qenë pjesë e zbatimit të agjendave të Beogradit kundër rendit kushtetues të Kosovës. Pas arratisjes në Serbi, ai është strehuar në një banesë të cilën ia dhuroi vetë Radoiçiqi, si falënderim për përpjekjet e tij destabilizuese,” ka shkruar Musliu në Facebook.

Më tej, eksperti i sigurisë tregon se gjatë një bastisjeje të realizuar në qershor të këtij viti në vilën e Arsenijeviqit në fshatin Vallaç, policia ka zbuluar një arsenal armësh, ndërsa objekti në fjalë ishte ndërtuar nga kompania “RAD 028”, që figuron në listën e zezë të SHBA-së dhe që, sipas Musliut, menaxhohet nga Radulle Steviq, por de facto është pronë e Radoiçiqit.

Vila, sç thekson Musliu është përdorur më parë nga grupet ilegale “Mbrojtja Civile” dhe “Severna Brigada” për vëzhgim të aktiviteteve të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it.

Musliu paralajmëron për përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të përdorur individë dhe organizata të maskuara si “aktivistë civilë”, për të realizuar qëllime destabilizuese në Kosovë dhe për të prodhuar propagandë anti-shtetërore.

“Kjo është dëshmi se si Beogradi dhe Radoiçiqi vazhdojnë të instrumentalizojnë figura nga komuniteti serb në Kosovë për interesa destruktive, duke i fshehur pas fasadave të shoqërisë civile,” përfundon Musliu./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale