Murati i quan të frytshëm për procesin e integrimit europian, rekomandimet e Komisionit Europian

19:44 | 3 Nëntor 2020
M. A.

Në Kuvendin e Kosovës, sot u mbajt mbledhja konstituive e Komisionit të përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për Legjislaturën VII.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Marrëveshja për Stabilizim Asociim synon që të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, që nga dita e nënshkrimit të saj e deri tek dita e anëtarësimit të plotë në BE.

E këshilltari i saj, Artan Murati e ka quajtur ditë të frytshme për procesin e integrimit europian.

Sipas tij rekomandimet nga Raporti i Komisinut Europiaan për Kosovën janë përmbledhje në një dokument të cilat do të jenë udhërrëfyes i punës së Kuvendit për vitin 2020-2021 në lidhje me BE-në.

“Qëllimi është të forcohet roli i Kuvendit në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe institucioneve të tjera në procesin e integrimit në BE”, shkruan ai.

Statusi i plotë i Artan Muratit:

Një ditë e frytshme në Kuvend për procesin e integrimit evropian. Fillimisht u konstituua komisioni parlamentar për stabilizim-asociim, komision ky i përbashkët mes Parlamentit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian.

Kurse, pasdite, për herë të parë në Kuvend, u shqyrtuan rekomandimet nga Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, të cilat ndërlidhen me Kuvendin. Janë evidentuar gjithësej 120 rekomandime, të cilat janë ndarë për secilin komision parlamentar sipas fushëveprimtarisë. Kuvendi synon të ofroj pasqyrë tjetër në vlerësimin e rradhës nga Komisioni Evropian.

Rekomandimet e identifikuara nga Raporti për Kosovën 2020 janë përmbledhur në një dokument, i cili do të jetë udhërrëfyesi i punës së Kuvendit për vitet 2020-2021 në lidhje me BE-në. Qëllimi është të forcohet roli i Kuvendit në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe institucioneve të tjera në procesin e integrimit në BE.

/arbresh.info/